Zhaklina Lekatari ka qenë së fundmi e ftuar në “Ndryshe”, ku foli për eksperiencën e saj në reality show-n e njohur, “Big Brother VIP Albania”.
Ajo u vendos përballë pyetjeve të Salsanos dhe Adit. E pyetur nëse është akoma “aroma” e BBV në jetën e saj, Zhaklina tha:
“Big Brother është një eksperiencë shumë e fortë dhe të gjithë janë të përfshirë. Edhe nëse ti do të mos jesh i përfshirë e të flasësh sa më pak, janë ata që të zvarrisin. Unë kam tentuar që pas 6 Majit, jeta ime të jetë sa më afër normaalitetit. Sa ja kam dalë nuk e di, por tani siç e sheh edhe ti jam e buzëqeshur. Duket sikur kam dalë jashtë vorbullës së Big Brother”.
Me fillimin e BBV3, a mendon Zhaklina se do të zbehet edicioni i dytë?
“Në përgjithësi thonë për produksionet e mëdha që dyshi është sezoni më i rëndësishëm, që bëhet më i fortë, ku ndodhin më shumë ngjarje e më të papritura. Por unë mendoj që Big Brother është një prodhim shumë i rëndësishëm, që ka mbrapa disa njerëz që kanë disa qëllime dhe duan ta çojnë produksionin e tyre diku. Mendoj se tek treshi do të gjendet diçka që do ta bëjë më të suksesshëm sesa dyshi“.