Në magjistralen Prishtinë – Lipjan në orët e para të ditës së sotme u shndërrua në skenë krimi. Njëra nga mysafiret që po qëndronte në hotel, Artila Kameri, 34-vjeçare, ka humbur jetën tragjikisht, pasi e njëjta dyshohet se ka kërcyer nga ballkoni në katin e dytë. Vdekjen e saj e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes, teksa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit.
Për rastin ka folur edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës. Zëdhënsja e saj, Laureta Ulaj, ka thënë se rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen”.
“Pas pranimit të informatës nga policia, prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes. Me urdhër të njëjtit trupi i pa jetë është dërguar në IML për t’iu bërë obduksioni, ndërsa rasti është iniciuar “hetim mbi vdekjen”.
“Prokuroria në koordinim me policinë është duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, tha Ulaj për Gazetën Sinjali.
Por si ndodhi ngjarja tragjike?
Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.
Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.