Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Nagavci: Në qershor nis testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka paralajmëruar se në qërosh të vitit të ardhshëm do të nisë testimi i mësimdhënësve për pagë më të lartë.

Ajo të enjten në konferencën për media të fundvitit, ka thënë se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.

“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka thënë se beson që mësimdhënësit nuk janë kundër këtij testimi.

“Unë besoj që mësimdhënësit nuk janë kundër kësaj, e do të jenë të suksesshëm në këtë. E unë nuk besoj që është mirë që SBASHK-u të dalë në krahë të mësimdhënësve që mund të kenë probleme”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka folur edhe për rezultatet e testit PISA si dhe kërkesat që i janë drejtuar për dorëheqje pas rezultateve të dobëta që tregoi Kosova në këtë test.

“Unë kam parë reagime për testin Pisa, e të gjithë e dinë që problemet në arsim nuk mund të ndryshohen për 10 muaj … dorëheqja do të ishte puna më e lehtë, por angazhimi maksimal për të përmirësuar këtë situatë është më i vështirë”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka folur edhe për procesin e furnizimit me libra. “Jemi duke e bërë analizë financiare për koston që është shpenzuar por edhe duke bërë krahasime me shtete të tjera. Informatat këtë vit do të jenë të hershme, para verës do të ndahen informatat sesi do t’i furnizojmë me tekstet shkollore”, ka theksuar Nagavci.

Ajo ka thënë se nuk kanë informata për mungesë të mësimdhënësve.

“Nuk kemi pasur asnjë informatë nga SBASHK-u për çështjen e mësimdhënësve, që janë duke pasur mungesë. Ne e dimë që disa fusha ka mungesë por jo për shkak të liberalizimit të vizave, por se nuk kanë zgjedhur studentë këto drejtime. Unë besoj që Kosova nuk do të ketë probleme me mësimdhënësit. Ne jemi duke u siguruar që profesioni i mësimdhënësit, të jetë profesion i dëshiruar dhe i vlerësuar”, është shprehur Nagavci.

Ajo ka folur edhe për kërkesën për udhëzimin administrativ për lejim të bartjes së shamisë në shkolla. Ka thënë se votimi i ligjeve për fushën e arsimit në Kuvend nuk duhet të kushtëzohet me hartimin e lejimin e bartjes së shamisë në shkolla.

“Do të ishte shumë mirë që deputetët e LVV-së por edhe nga deputetët e partive tjera t’i votojnë ligjet e fushës së arsimit në Kuvend. Për ne nuk ka kushtëzime. Ne e kemi obligim ta respektojmë Kushtetutën, pra asnjë nxënës nuk do të mbetët jashtë bankave shkollore”, ka deklaruar Nagavci.