Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Drunj të prerë ilegalisht nga Kosovë janë shitur në Serbi dhe anasjelltas

Pyje qindravjeçare të shtrira në zonat malore kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë shkatërruar në masë të madhe që nga viti 1999. Pamjet e incizuara me dron dëshmojnë krimin ambiental, ndërsa zbulohet se dru të prera ilegalisht në Kosovë janë shitur në Serbi dhe dru të prera ilegalisht në Serbi janë shitur në Kosovë.

Zona e Leposaviqit, zona e Merdarës dhe zonat përreth Liqenit të Ujmanit janë në mesin e zonave më të dëmtuara nga prerjet ilegale.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë nuk kanë ofruar të dhëna për dëmet që janë shkaktuar, por ambientalistët e zonës dhe Policia konfirmojnë dëmet masive në ambient.

Leposaviqi është në mesin e zonave malore të vendit. Shkatërruesit ambientalë u angazhuan në prerjen e pyjeve ndërsa drutë u shitën herë në Serbi, herë në Kosovë.

Pamjet nga droni dëshmojnë se zona të tëra në këtë hapësirë janë rrafshuar dhe malet tashmë kanë mbetur vetëm me shkurre.

Shitja e druve u mundësua falë lejeve të cilat lëshoheshin nga autoritetet paralele të Serbisë në Kosovë.

Qeveria e Serbisë nuk pranoi të përgjigjet për të dhëna rreth sasisë së druve që u lejua të priten në këtë zonë, shkruan kallxo.com.

Radojca Radomireviq është një politikan i zonës. Ai sot punon zëvendësministër në Qeverinë Kurti.

Ai konfirmon se drutë e prera në Leposaviq u nxorën për në Serbi për t’u shitur atje.

“Është e vështirë me tregu përqindjen e saktë, por unë besoj se 80 për qind e druve ka shkuar në Serbi ndërsa pjesa tjetër ka mbetur në Kosovë. Kjo është mundësuar falë rrugëve të hapura ilegale” – thotë Radomireviq.

Pamjet nga droni tregojnë që në zonën ku u prenë drutë fillimisht u hapën rrugët për të kaluar automjetet transportuese.

Banorët e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut që kanë qenë dëshmitarë të prerjeve masive të maleve atje nuk flasin publikisht për këtë dukuri, por tregojnë se dukuria ka nisur që nga viti 1999.

“A i shihni ato rrugë? Krejt janë hapur vetëm për me e mundësu prerjen e pyllit” – thotë një banor i zonës, i cili dëshiron të mbetet anonim.

Më i hapur për këtë temë është politikani Radomireviq. Si banor i Leposaviqit ai pretendon se pyjet publike në këtë zonë tashmë janë shkatërruar ndërsa vetëm pyjet private që ruhen nga banorët lokalë kanë mbetur pa u shkatërruar.

“Pasi i keni pa pamjet e dini edhe ju se malet me vjet janë shkatërruar komplet. Ka pasur prerje ilegale, tash nuk ka sepse nuk ka as mal. Tash nuk është serioze sepse s’ke çka pret. Pylli është prerë me të madhe deri ne vitin 2015-2016. Kanë mbetur vetëm malet private” – thotë Radomireviq.

Ai konfirmon se zyra ku ishin dhënë lejet për prerjen e druve nuk punojnë momentalisht ndërsa as pylltarët nuk dalin në punë.

Këto zyra funksiononin në kuadër të autoriteteve pyjore të Serbisë.

Këto autoritete nuk ofruan të dhëna për numrin e lejeve dhe sasinë e druve që u lejua të priten.

Veton Elshani nga Policia e Kosovës konfirmon se kanë hasur disa makineri të rënda, të cilat në zonë janë përdorur për t’i hapur rrugë prerjes së druve.

“Ne kemi hasur në disa makineri të cilat shërbejnë për hapjen e rrugëve e po ashtu për bartjen e druve të prera” – thotë Elshani.