Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Maloku: Do t’i kundërshtojmë deri në fund tentativat për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë

 
   

Jetish Maloku, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), tha se do ta kundërshtojnë deri në fund çdo lloj ndërhyrje apo tentativë për të ndërhyrë në punën e tyre.

Gjatë konferencës vjetore të KPK-së, Maloku tha se ka prononcime të ndryshme që dalin nga zyrtarët e lartë shtetërorë, e që atakojnë sistemin prokurorial dhe atë gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Për fat të keq kemi prononcime të ndryshme që dalin nga zyrtarë të lartë edhe të Qeverisë edhe të Kuvendit që atakojnë edhe sistemin gjyqësor, por edhe sistemin prokurorial. Ne nuk jemi pajtu me ato deklarata, me atë qasje. Ne edhe sot nuk pajtohemi që ata të përzihen në punën e pavarur, në punën që ka mandat një prokuror apo një gjyqtar, të përmenden raste të caktuara, emra të caktuar të gjyqtarëve të prokurorëve. Ne kemi dalë fuqishëm me deklarata, me reagime kundër çdo tentative për të ndërhy në punën e pavarur të sistemit gjyqësor, prokurorial”, tha Maloku.

Ai tha se ata do ta kundërshtojnë deri në fund çdo tetntativë për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Ne aq sa kemi pas fuqi, i kemi kundërshtu dhe do t’i kundërshtojmë deri në fund, tentativat për ndërhyrje në sistemin që neve na e garanton Kushtetuta dhe Ligji, mendoj se nuk ka koment këtu çfarëdo tentative apo ndërhyrje në punën tonë. Ne atë mospajtim e kemi shfaqur përmes të gjitha reagimeve që i kemi pas”, tha ai.

Ndryshe, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklauar se për shkak të mosdekretimit të Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar kërcënime të cilat nuk i ka raportuar tek organet e rendit.

“Çdo letër tjetër që KPK dërgonte, për faktin se e dinte të gjitha arsyet pse s’po merret vendimi, ka qenë presion i paligjshëm dhe jokushtetues dhe në kundërshtim me çdo praktikë të mahershme të komunikimit ndërinstitucional…njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton dhe nuk e nënshkruan do të vëmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart”, ishte shprehur Osmani në konferencë për medie, ku kishte njoftuar që nuk do ta dekretonte Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.Lidhur me këtë deklaratë, Maloku tha se pyetjet duhet t’iu drejtohen vetë Zyrës së Presidentes.

“Na nuk e dimë për ato se çfarë kërcënime ka pas edhe nga kanë ardhë. Na nuk dimë në këtë aspekt. Ajo e din mandatin e vet dhe Zyra i di detyrat e veta. Këto pyetje t’i drejtohen asaj Zyre. Nëse ka pas diçka pse mos t’i bëhet me dije publikut”, tha Maloku.

Tutje, gjatë prezantimit të punës së KPK-së për vitin 2023, Maloku tha se buxheti i paraparë për këtë vit ishte mbi 14 milionë, e që nuk i përgjigjej të gjitha kërkesave të tyre.

Ndërsa, për buxhetin e vitit 2024 të KPK-së, Maloku tha se është paraparë të jetë mbi 17 milionë, mirëpo nuk është miratuar plotësisht sipas kërkesave dhe nevojave të tyre.

Sa i përket sfidave që e kanë karakterizuar KPK-në, Maloku tha se ndër to ka qenë buxheti i pamjaftueshëm, pengesat për mosdekretimin e Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe shkarkimi i anëtarit joprokuror të KPK-së, Agron Beka, nga ana e Kuvendit.

“Mosplotësimi i përbërjes së Këshillit me dy anëtarë joprokurorë, që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Këshillin Prokurorial në prill të vitit 2019 nuk është përgjegjësi e Këshillit as përzgjedhja dhe as procedurat teknike të shpalljes së konkursit. Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha obligimet e krijuara, pengesat për mosdekretim të Kryeprokurorit të Shtetit, ndërmarrja e aktiviteteve të shumta për mbrojtjen e pavarësisë së Këshillit Prokurorial të Shtetit që ndërlidhen me iniciativat për ndryshime ligjore dhe shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit nga ana e Kuvendit”, tha Maloku.

Ai gjithashtu përmendi se sfidë për KPK-në ka qenë edhe specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve si korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik dhe ai kibernetik. Po ashtu, ai theksoi se sfidë për KPK-në ka qenë edhe “mosrespektimi i parimit të transparencës përmes disa publikimeve mediale që ndikojnë drejtpërdrejt në dëmtimin e besimit të publikut në sistemin prokurorial”