Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka folur në lidhje me paralajmërimin e Ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për testimin e mësimdhënësve.
Ai ka thënë se si sindikatë do të reagojnë dhe do t’a kundërshtojnë një gjë të tillë.
Jasharaj u shpreh se një gjë e tillë do të ishte nënçmim dhe ofendim ndaj tyre.
“Ne do të reagojmë dhe do ta kundërshtojmë sepse do të ishte nënçmim dhe ofendim për njohuritë që këta njerëz i kanë marrë duke kryer fakultete, Mastere, e duke u përgatitur për sektorin e arsimit”.
“Ne kemi instituar dhe insistojmë që të bëhet vlerësimi i punës së mësimdhënësve, duke dërguar inspektorët profesional”, është shprehur ai sonte.
Në konferencën për media të fundvitit, Nagavci ka thënë se ky testim do të mundësojë licencën e avancuar për mësimdhënësit, të cilët edhe do të paguhen nga Ministria e Arsimit në rast se tregohen të suksesshëm.
“Ne kemi paraparë edhe buxhetin i cili do të shfrytëzohet me qëllim të pagesës për mësimdhënësit të cilët do të avancohen pasi të përfundojnë suksesshëm licencimin e tyre, përfshirë edhe testimin”, ka thënë ministrja.
Ngavaci po ashtu ka bërë të ditur se po bashkëpunojnë me Shqipërinë për hartimin e udhëzuesit për realizim të këtij procesi.
“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”, është shprehur Nagavci.