Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Abazi: Përmes Fondit Sovran, Kosova ka hyrë në rrugëtimin më të dëmshëm

 
   

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Haki Abazi, thotë se Kosova ka hyrë në rrugëtimin më të dëmshëm përmes Fondit Sovran.

“Jemi në rrugëtimin më të dëmshëm që ka mundur Kosova me hy. Problemi qenësor është që aty nuk është thënë që Fondi Sovran e ka këtë qëllim të futjes përbrenda të aseteve nacionale për me u bë shtylla kryesore. Ekonomia jonë nuk është garuese fare as në rajon, lerë më me ekonomitë evropiane”, tha ai.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje tha se përmes Fondit Sovran tentohet që sektori privat të dëmtohet e të zvogëlohet.

“Tentohet që sektori privat të dëmtohet edhe të zvogëlohet dhe të futet në boshtin e ekonomisë kosovare kontrolli përmes Fondit Sovran. Ky është gabim. Ne nuk mund ta ndikojmë trendin ekonomik rajonal. Tregu ose është i lirë ose i kontrollueshëm, kur është i kontrollueshëm është jo i lirë edhe investitorët nuk vijnë këtu”, shtoi ai.

Ndërkohë, për Qeverinë e Kosovës, Ligji për Fondin Sovran është një nga reformat më të mëdha për zhvillim ekonomik të vendit. Në Fondit Sovran është paraparë që e gjithë pasuria më e rëndësishme publike e Kosovës të bartet aty.

Gjithashtu, është bërë e ditur se Fondi Sovran do të marrë përsipër ndërmarrjet publike të natyrës komerciale si Trepça, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta, Telekomi, Hekurudhat Infrakos dhe Hekurudhat Trainkos, si dhe asetet me potencial zhvillimor që tani administrohen nga Agjencia e Privatizimit.