“Dy lidhje paralel, absolutisht nuk e dija. E dëgjova në emision për herë të parë”
Moderatorja e “Për’puthen”, Megi Pojani, udhëtoi drejt Kavajës për të takuar mamanë e Gertit, një nga konkurrentët që ka rrëqethur me historinë e tij për humbjen tragjike të motrës.
E ëma e Gertit, që mikpriti në shtëpi Megin tregoi se prej katër muajsh ka lënë Italinë dhe jeton këtu për të shoqëruar konkurrentin në rrugëtimin e tij në programin e dashurisë.
Ajo tregoi se më parë pëlqente Gabrielën për djalin e tij, ndërsa tani Saiden.
“Në fillim më pëlqente Gabriela, nga pamja dhe nga karakteri. Ndërsa tani më pëlqen Saidja”.
E habitur, ajo u shpreh për historitë e dashurisë së Gertit, sidomos lidhjet paralele.
“Dy lidhje paralel, absolutisht nuk e dija. E dëgjova në emision për herë të parë. Kjo është pak jashtë normales. Megjithatë, unë çdo gjë e pranoj nga djali”.
Ndërkohë, Megi u mbush në lot teksa dëgjonte historinë e humbjes së motrës së Gertit.
“Në kohën kur zbuluam sëmundjen, Gerti ishte shumë i vogël. Në një moshë që kishte nevojë për përkujdesjen e prindërve. Ne na ra bomba dhe filluam të merreshim me vajzën. Momenti më i vështirë i jetës sime ishte kur duhet t’i thosha Gertit që të ishte donator për motrën. Ai deri diku e kuptonte. Më thoshte jam krenar që po dhuroj për motrën. Nuk tregohet me fjalë. Ato ishin vitet më të bukura tonat, ajo ishte një engjëll, që Perëndia e kishte krijuar për vete. Me një zgjuarsi të paparë, e bukur”.
Mes lotësh, Gerti në studio tregoi se asnjëherë më parë s’ka pasur guxim të flasë për këtë ngjarje të rëndë në familjen e tij.
“E di që ka vuajtur. Jam krenar për të. Normal që ajo do ta vuajë më shumë se unë. S’kam pasur asnjëherë guxim të flas. Kur mami me babin flisnin, dilja, bëja vrap, i bija murit me grusht. Nuk kam qenë i fortë. S’kam pasur guxim t’ia them as familjes së ish-partneres, nuk kisha guxim. Kur ata vinin në shtëpi, i fshihja të gjitha fotot e motrës”. /Top Channel/