Në Spitalin Universitar të Janinës po trajtohet në gjendje kritike për jetën 73-vjeçari, i cili u godit 10 herë me thikë nga një 25-vjeçar, shtetas shqiptar që tentoi ta grabiste mbrëmjen e së mërkurës në Kefaloni .
Sipas policisë, 25-vjeçari shoqërohej nga një tjetër shtetas shqiptar 18-vjeçar. Dy të rinjtë fillimisht thyen xhamin e shtëpisë së të moshuarit në Agia Efimia , ku 25-vjeçari hyri brenda banesës, ndërsa 18-vjeçari e ruante.
Sipas ERT, kur 73-vjeçari ka hyrë në shtëpinë e tij, 25-vjeçari e ka sulmuar me thikë , duke e goditur rreth 10 herë në bark dhe në shpatull. Më pas dy grabitësit u larguan.
Viktima arriti të dilte në rrugë i gjakosur dhe të thërriste ndihmë dhe më pas u dërgua në spitalin e Argostolit ku iu nënshtrua një operacioni.
Për shkak të plagëve të rënda u desh që të transferohej me helikopter në Spitalin Universitar të Janinës .
Dy shtetasit shqiptarë janë arrestuar pasditen e së enjtes nga efektivët e Sigurisë së Argostolit dhe Ekipi për Parandalimin dhe Shuarjen e Krimit (OPKE) të Kefalinisë.