Ndonëse shumë lokacione në territorin e Serbisë janë bërë gërmime për gjetjen e trupave të viktimave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të njëjtat ende figurojnë të papërfunduara edhe 24 vjet pas luftës.
Fajtor për këtë po konsiderohet Serbia për mosbashkëpunim, ndërsa ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë bashkësia ndërkombëtare me ofrimin e pamjeve satelitore të kryera gjatë bombardimit të Serbisë nga NATO.
Për zbardhjen e fatit të tyre, shpresë mbesin gërmimet e reja në lokacione që dyshohen për varreza masive.
E krahas vrasjes, ka raste kur viktimat janë varrosur në dy lokacione të ndryshme, me qëllim të humbjes së gjurmëve.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dyshon se trupat tjerë të zhdukur me dhunë gjendjen në Serbi. Këtë e bazon në hapësirat e gërmimeve që janë kryer në Kosovë.
“Përkundër gjetjeve gjatë vitit 2001 dhe zhvarrosjes të më shumë se 900 viktimave të luftës, prapë mbesin lokacione të papërfunduara për ne. Në rastet e identifikimit të viktimave të masakrave që janë kryer nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, ne kemi ende viktima nga këto masakra që janë listën e personave të zhdukur. Pra pjesa më e madhe viktimave është gjetur në lokacionin në Batajnicë, në lokacionin e Petrovosello por kemi ende në listën e personave të zhdukur viktimave nga këto masakra dhe tash nëse ne po kryejmë gërmime brenda territorit të Kosovës dhe nuk po arrijmë t’i gjejmë mbetjet mortore të këtyre viktimave, atëherë pashmangshëm që adresa mbeten këto lokacione”, ka thënë Gara.
Krahas vrasjes e zhdukjes me dhunë, forcat serbe janë munduar edhe t’i asgjësojnë trupat e pajetë të shqiptarëve. Gara ka përmendur një rast kur viktima është gjetur në dy lokacione.
“Në rastin e varrezës masive në Rudnicë, kemi zhvarrosur mbetje mortore të 54 viktimave në masakrën e Rezallës, një viktimë e masakrës së Çikatovës dhe nga rasti i Zabeli i Ultë i Drenasit. Ndërsa në rastin e Kishevakut, janë zhvarrosur mbetje mortore të 9-të viktimave, përfshirë 7-të identifikime të reja për 7-të persona që vazhdonin të ishin në listën e personave të zhdukur nga masakra e Rezallës dhe dy raste ribashkimi me viktimat e zhvarrosur në Rudnicë. Pra e njëjta viktimë është gjetur në dy varreza masive si pasojë të veprimeve të palës serbe që t’i asgjësojnë edhe kufomat e viktimave për asgjësimin e gjurmëve të krimit. Prandaj edhe përkundër rezultateve në vitin 2014 në Rudnicë dhe gjatë viteve 2020-21 në Kizhevakë, rasti i Rashkës prapë mbetet rast i papërfunduar për ne”, u shpreh Gara për EO.
E ndihmë në identifikimin e lokacioneve kanë dhënë edhe imazhet satelitore të kryera gjatë bombardimeve nga NATO. Gara përmend rastin kur imazhet satelitore kapin pamjet e punimeve në një lokacion që dyshohet se janë varrosur viktima të luftës së fundit në Kosovë.
“Kruciale në saktësimin e lokacioneve kanë qenë imazhet satelitore, ku mbi bazën e këtyre pamjeve shihej saktësisht ndryshimi i sipërfaqes së dheut gjatë kohës luftës. Pra në një kohë kur Serbia bombardohej nga NATO-ja për të ndalë gjenocidin në Kosovë, sigurisht që është e pakuptueshme që të punohej në një gurore gjatë muajit prill-qershor të 99-ës dhe arsyeja e punëve në atë gurore ka qenë pikërisht varrosja e kufomave të viktimave të luftës së vrarë nga masakrat e kryera nga forcat serbe në Kosovë”, u shpreh Gara.