Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka thënë se ka dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj të sanksionuarit të ShBA-së dhe BE-së, Milan Radojçiq. E derisa ai nuk tregoi arsyen e kësaj, drejtori i institutit “Octopus”, Agim Musliu thotë se asgjë nuk e justifikon një gjë të tillë, pasi ky i fundit ka sulmuar Republikën e Kosovës më 24 shtator.
Musliu thekson se asnjë marrëveshje e fshehtë ndërkombëtare nuk mund të aplikohet në raste të tilla, kur bëhet fjalë për një kryekomandant të terroristëve, i cili kryen agresion dhe akte të tilla ndaj një vendi.
“Milan Radojçiq është kriminel i ndjekur edhe ndërkombëtarisht edhe nga INTERPOL-i edhe nga EUROPOL-i edhe është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sa i përket kësaj që e thatë ju, që Isufaj e ka ndaluar ndjekjen penale të kryeterroristit Milan Radojçiq unë nuk kam koment, nuk i di rrethanat se pse ka ndodhur kjo, por sidoqoftë nuk ka asnjë arsye të bëhet kjo sepse Milan Radojçiq ka qenë kryekomandanti i terroristëve i cili ka sulmuar direkt shtetin e Kosovës, Republikën e Kosovës, një territor të saj ka pretenduar që ta shkëpus nga Republika e Kosovës dhe janë aktet më të rënda dhe më të sanksionuara me të gjitha ligjet edhe ndërkombëtare por edhe ato të Republikës të Kosovës, me ligj akt më i rëndë nuk ekziston”, tha Musliu.
Javë më parë KosovaPress, pati raportuar se INTERPOL ka lëshuar urdhërarrest për terroristin Milan Radojiçiq.
Ky i fundit ka pranuar se qëndron prapa sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, por që vazhdon të endet i lirë në Serbi.