Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Familjarët e të pagjeturve kritikë të ashpër institucioneve për mungesë të veprime konkrete në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur

 
   

Në takimin e fundit për 2023, anëtarë të OJQ “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë kanë adresuar kritika drejtë institucioneve për mungesë të veprimeve konkrete në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, ndërkohë që kishte zëra për protestë para qeverisë për sensibilizim të opinionit për neglizhencën dhe mungesën e rezultateve në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

Kjo shoqatë e cila ka pas vete angazhim mbi dy dekada në drejtim të hulumtimit dhe zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, mbetet qendra e takimeve me familjarë dhe pasardhës të personave të pagjetur, vend ku “qahen hallet, shqetësimet, por edhe ku ndihmohet edhe hapen rrugë” për ta në sfidat e jetës.

Por atmosfera sot ishte më e acaruar, pasi shumë ashpër u kritikuan institucionet relevante që thuajse nuk po bëjnë asgjë në largimin e dhembjes së familjarëve për personat e tyre më të dashur, që vetëm në Mitrovicë janë edhe 107 raste.

Kryetari i kësaj shoqate baci Bajram, që ndonëse me peshën e mbi 8 dekadave jetë, jetë të rëndë e vështirë, që ende vuan dhembjen e birit të pagjetur, ndonëse në shekullin që kaluar familja e tij Qerkini ka pasur edhe familjarë tjerë fati i të cilëve nuk u zbardh kurrë, mezi ia doli të bind familjarët që medoemos kërkonin protestë bile pati zëra edhe për grevë urie para qeverisë.

Lokali ku ndodhet shoqata me shumë kujdes mirëpret , asiston dhe ndihmon gratë dhe motrat me persona të pagjetur, duke i këshilluar por edhe ndihmuar kohë pas kohe , me ndihma ushqimore, që vijnë nga donatorë të ndryshëm.

Askush nuk po merret me kategorinë e familjeve të personave të pagjetur të cilëve në mënyrë drastike vazhdojnë të ju shkelen të drejta për të ditur fatin e më të dashurve të cilët që nga lufta, nuk kanë një vend prehje, një vend ku mund përkujtohen a të ju vendoset në tufë lule.

“Ne me vite po angazhohemi dhe po përpiqemi të ngremë zërin dhe mobilizojmë institucionet përgjegjëse që të jenë më aktive dhe më këmbëngulëse në ndërmarrjen e hapave konkret, përmes presionit në ndërkombëtarët dhe palën serbe, që të tregojnë ku janë të varrosur të afërmit tonë, të zbardhet fati i tyre dhe që përgjegjësit për kidnapimin, arrestimin dhe vrasjet të dalin para drejtësisë” thotë Bajram Qerkini.

Ne si shoqatë përkundër asaj se qëndrojmë afër edhe mbështesim familjarët e personave të pagjetur nuk kemi mekanizëm, nuk kemi mundësi që të japin lajme të reja, të i njoftojmë se po bëhet diçka në drejtim të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur shprehet ai.

Rreth 107 familje në Mitrovicë nga numri i përgjithshëm prej mbi 1600 familjeve akoma vazhdojnë të jetojnë në ankth, në pritje, në dhembje dhe në mjegullën e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, që akoma mbajnë shpresën dhe presin të mësojnë fatin e personave më të dashur.

“Ne si shoqatë përsëri apelojmë dhe ju bëjmë thirrje personave përgjegjës në institucionet tona, duke nis nga presidentja, kryeministrja e deri tek zyrtarët tjerë që të shfrytëzojnë secilën mundësi në takimet me ndërkombëtarët që të kërkojnë presion nga ndërkombëtarët që pala serbe që “disponon me të dhënat për secilin person të rrëmbyer, arrestuar vrarë dhe varrosur” , të ofroj të dhëna, të shfrytëzohen xhirimet satelitore dhe njëherë e mirë të largojnë dhembjen e familjarëve duke zbardh fatin e secilit person të pagjetur”, thotë Qerkini.

Ai shpreson që çështja e personave të pagjetur përfundimisht të gjej zgjidhje , në diskutimet dhe shqyrtimin e kësaj çështje në kuadër të dialogut që zhvillohet në Bruksel dhe që pas një çerek shekulli të mbyllen plagët e shpirtit të familjarëve të personave të pagjetur, të kenë një vend prehje dhe një vend ku mund të bëhet homazhe edhe vendose lule.