Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se babi i saj gjatë kohës së luftës ishte angazhuar politikisht dhe ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ka qenë pjesëmarrës në ndërtimin e strukturave të mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Kosovës.
Osmani në emisionin “Personale” të RTV Dukagjini, ka thënë se gjatë kësaj kohe, Vëre si figurë të zgjedhur babai i saj gjithashtu u burgos dhe u torturua.
Mirëpo, pavarësisht sfidave të mëdha, si përndjekje politike dhe burgosje, familja mbeti e bashkuar dhe u rrit në një atmosferë të ngjeshur me sfida dhe ëndrra.
“Ne jemi rrit në një familje, meqenëse babai ka qenë i angazhuar politikisht në atë kohë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) në ndërtimin e celulave të para të mbrojtjes, ka qenë edhe kolonel Ahmet Krasniqi që i ka udhëheqë përpjekjet e para për ndërtimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Babi ka qenë në shënjestër tërë kohën, ka qenë i burgosur, i torturuar. Pra jemi rritë pikërishtë në një atmosferë të tillë. Nuk ka qenë e lehtë por njëkohësisht fokusi kanë qenë librat, ka qenë shkolla”, ka thënë Osmani.
Më tej, e para e shtetit ka thënë se babai i saj ka qenë i burgosur dhe i torturuar në kohën e luftës nga forcat serbe.
“Në mars 1999 ne jemi dëbuar nga banesa jonë, prej aty kemi lëvizur në fshatrat për rreth, në fshatin Zhabar pastaj prej aty në fshatra tjera të Mitrovicës dhe më pas jemi detyruar së bashku me të gjithë të dëbuarit e tjerë, sepse në atë kohë shumica dërrmuese e qytetarëve të Drenicës ishin dëbuar më herët prej atje dhe patën ardhë në Mitrovicë e rajon dhe kur në mars u dëbuam kanë qenë diku më shumë se 100 mijë civilë dhe të gjithëve na kanë dëbuar dhe detyruar me ecë nga Mitrovica deri në kufi me Shqipërinë, ka qenë një periudhë e një vuajtje të jashtëzakonshme e gjithë qytetarëve që janë detyruar me ecë nga Mitrovica, për ne kanë qenë katër ditë e katër netë e për disa më shumë se kanë pas fëmijë të vegjël”, vijon ajo.
Osmani më pas gjatë intervistës flet për një periudhë të veçantë të trazuar gjatë luftës në Kosovë.
“Dy gjyshet tona në atë periudhë nuk kanë arrit me ecë kështu që të dyjat vendosën që me qëndru në shtëpinë e gjyshes në lagjen Bajr të Mitrovicës e cila ishte gati se e shkatërruar. Por megjithatë ka qenë një mënyrë e dëbimit masiv po në të njëjtën kohë ka pas shumë tortura ndaj të gjithëve që kemi qenë në atë kolon. Shumë prej personave janë vra sidomos djem të rinjë që kanë qenë në kolon”.
Tutje ajo thotë se ka parë me sytë e saj krime të rënda që janë kryer ndaj civilëve gjatë asaj kohe, duke përfshirë vrasje të personave, veçanërisht të rinjve, që ishin pjesë e kolonave të dëbuara.
“Kemi pa shumë raste kur nënat shtatëzane i kanë lind femijët në shi, në baltë dhe në rrethana tepër të rënda dhe ushtria e policia serbe vazhdimisht vetëm gjuanin me armët e tyre”, është shprehur Osmani.
Më pas ajo flet për një periudhë të veçantë dhe të vështirë gjatë luftës në Kosovë, kur familja e saj arriti në kufirin me Shqipërinë, ata u përballën me një situatë shumë të rrezikshme ku ushtria serbe nuk lejoi që ata të kalonin kufirin dhe i përdori si mburoja të gjalla.
“Ka qenë një periudhë shumë e rënd, kur kemi mbrri tek kufiri me Shqiperinë nuk na lanë fare me hy ushtria serbe sepse na përdornin si mburojë të gjallë në mënyrë që bombardimet e NATO-s mos të përfundonin tek ne sepse në atë kohë kur NATO-ja e shihnte nepërmjet metodave të tyre të vëzhgimit qe ka civil për-rreth nuk i gjuante ushtrinë me bomba, kështu na përdornin ne si mburoja të gjalla që është një prej krimeve më të rënda të luftës”.
Pas çlirimit të Kosovës, Osmani ka thënë se ajo së bashku me familjen e saj u kthyen në shtëpinë e tyre, e cila ishte plotësisht e djegur, por më pas e rindërtuan jetën e tyre, ashtu si shumë familje të tjera të prekura nga lufta.
“Ne jemi kthy në fshatrat e Mitrovicës dhe deri në prill 1999 që janë nis disa autobus për në Mal të Zi kemi arrit së bashku me disa prej familjarëve tanë me u nis për në Mal të Zi dhe ajo ka qenë një rrugëtim tepër i rënd sepse post-blloqet e serbëve kanë qenë të shumta, ka pas tortura përgjatë rrugës dhe për fatin tonë kemi arrit të gjallë në Mal të Zi ku kemi qëndruar për një periudhë të shkurt derisa edhe u çlirua Kosova në qershor të ’99-es dhe pastaj menjëherë jemi kthy ku e kemi gjetur banesën komplet të djegur por e kemi rindërtuar më pas jetën tonë si secila familje tjetër”, ka përfunduar e para e shtetit./dukagjini