Viti 2023 po përmbyllet me një qeveri e cila gjithë fokusin e kishte të orientuar në veri të Kosovës.
Kjo çfarë ka bërë deri më tani Qeveria e Kosovës në veri, ka qenë obligim, por të njejtën kohë edhe detyrim, sepse atje kishte tensione, e zhvilloheshin edhe sulme nga ana e terroristëve serbë.
Qeveria Kurti ka pasur edhe sfida të tjera, nëpër sektorë të ndryshëm, të cilët si qeveri janë kritikuar për mos punën edhe mos përmbushjen e obligimeve. Ajo si më e freskët është vlerësimi nga PISA, ku Kosova ishte renditur e 3 nga fundi.
Por, si ka qenë ky vit për Qeverinë dhe çfarë pritet në vitin 2024, folën analistët për gazetën “Bota sot”.
Kuçi: Qeveria Kurti 2 gjatë vitit 2023 mund të vlerësohet për përpjekjet e bëra në veri të vendit
Gurakuç Kuçi
Njohësi i çështjeve politike, Gurakuç Kuçi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Qeveria Kurti 2 gjatë vitit 2023 mund të vlerësohet për përpjekjet e bëra në veri të vendit të cilat ishin gjysmë të suksesshme.
Por, sipas tij, ka edhe mangësi të tjera të dukshme në sektorë të tjerë, duke thënë se ka bllokuar përparimin në shumë fusha dhe, për më tepër, ka krijuar një atmosferë të tensionuar dhe një psikozë për pushtetin.
“Qeverisë Kurti 2 gjatë vitit 2024 mund t’i vlerësohen përpjekjet e bëra në veri të vendit të cilat ishin gjysmë të suksesshëm për faktin se nuk arriti që veprimet legjitime të Kosovës t’i bëjë me një diplomaci të zhdërvjelltë që nuk do pësonte sanksione nga perëndimi.
Në tërë sektorët e tjerë, kemi një mangësi të dukshme në arritje, duke parë se angazhimi i qeverisë ka qenë kryesisht në kontrollin e institucioneve, punësimin e militantëve, dhe shkëmbimin e personelit në çdo sektor me njerëz të prirur politikisht në favor të LVV-së dhe Guxo. Kjo ka shkaktuar një pengesë serioze në zhvillimin e bizneseve, sundimin e ligjit dhe mbajtjen e premtimeve të bëra më parë.
Qeveria ka bllokuar përparimin në shumë fusha dhe, për më tepër, ka krijuar një atmosferë të tensionuar dhe një psikozë për pushtetin. Kjo ka çuar në një nivel ku shpërfill qytetarët dhe ata që kërkojnë drejtësi, mirëqenie dhe sundim të ligjit”, thotë ai.
Në fund, Kuçi shpreh mendimin se gjatë 2024-ës, do të shohim nëj fokus më të madh në aspektin elektoral.
“Në vitin 2024, i shohim një fokus të madh në aspektin elektoral, me vendime që mund të marrin bazuar në mbështetjen e elektoratit, por që, në realitet, do të kenë efekte të kufizuara dhe të pavlera për përparimin e Kosovës dhe për mirëqenien e qytetarëve të saj”, përfundon ai.
Ahmeti: Shtritja e sovranitetit në Mitrovicën e Veriut është çështje ndër çështjet më të rëndësishme
Hidajet Ahmeti
Analisti Hidajet Ahmeti thotë se rëndësi për këtë qeveri ka pasur shtrirja e sovranitetit në veri të Mitrovicës, sepse deri tani asnjë nga qeveritë e kaluara nuk kanë pas mundësi të shtrijnë sovranitetin në atë pjesë të Kosovës.
“Qeverisje ideale nuk mund të ketë asnjëherë, por çdo qeverisje brenda një viti fiskal mund të mbahet mend për ndonjë politikë publike që iu përgjigjet interesave qytetare. Në aspektin politik, gjykoj se çështja e shtrirjes së sovranitetit në Mitrovicën e Veriut është çështje ndër çështjet më të rëndësishme, pasi plotë 22 vite, qeveritë e Kosovës nuk kanë pas mundësi të shtrijnë sovranitetin në atë pjesë të Kosovës. Ajo pjesë e Kosovës ka qenë një gjendje kaosi, ku grupet kriminale kanë dominuar, me një fjalë kjo pjesë e Kosovës ka funksionuar në bazë të ligjit të xhunglës. Por, kuptohet nëse arrin ta mban në kontroll këtë pjesë të Kosovës, do të jetë çështje e çështjeve historike, ku do ta gjykoj historiografia”, shprehet ai.
Sipas tij, Qeveria ka bërë edhe disa punë të mira siç janë në bujqësi, pastaj edhe në fushën e energjisë etj., por duke mos harrur se në disa ministri nuk ka pasur progres si në arsim.
“Kurse, politikë tjetër publike të rëndësishme për qytetarët e Kosovës do të vlerësoja politikat promovuse dhe përkrahëse në fushën e energjisë eficinte, ku qeveria në bashkëpunimin me BE-në ka përkrahur qytetarët në politikat eficinte, duke përkrahur qytetarët në forma të ndryshme. Mendoj se kjo politikë ka prekur pothujse çdo familje të qytetarëve të Kosovës dhe gjykoj se është një politikë strategjike. Por, edhe në sferën e bujqësisë, bujqit janë përkrahur jashtëzakonisht shumë me subvencionimin e kulturave bujqësore, por edhe me përkrahjen me grande. Kurse, në disa aspekte që nuk ka pasur progres janë politikat në fushën e arsimit, mjedisit, në politikën e jashtme, por edhe në shumë çështje me interes të madh publik. Besoj që viti 2024 të jetë më shpresdhënës për Kosovën në fushat e lartcekura dhe të vlerësohet më me prioritet për Qeverinë Kosovës”, përmbylli ai.