Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major, Özkan Ulutaş, ka folur për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga një grup serb.
Në një intervistë, ai ka theksuar se për këtë NATO-ja e ka rritur numrin e pjesëtarëve të saj.
“Pas incidentit të dhunshëm të 24 shtatorit dhe sulmeve të papranueshme ndaj trupave të KFOR-it në fillim të majit, NATO-ja ka dislokuar forca rezervë shtesë me kapacitete shtesë. Tani jemi duke zhvilluar më shumë aktivitete. Ne kemi katërfishuar praninë tonë në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe ato përgjatë vijës kufitare administrative. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së, plotësisht dhe në mënyrë të paanshme”.
“Synimi ynë është të parandalojmë përshkallëzimin, por në rast përshkallëzimi, ne jemi të gatshëm dhe të pajisur për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përmbushur mandatin tonë. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX). Pra, koordinimi ynë i vazhdueshëm është kyç për të garantuar siguri të qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Ulutaş.