Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me rastin e festës së Vitit të Ri.
Fillimisht, Osmani u ndal në Klinikën Emergjente, ku u prit nga drejtori Naser Syla. Ky i fundit e njoftoi për punën 24 orëshe që bëhet në këtë klinikë.
Më pastaj, Osmani e Vitia vizituan Klinikën e Kardiologjisë, ku u pritën nga drejtori Lulzim Kamberi.
Pas kësaj vizite, presidentja Osmani tha për EO se arsye e vizitës së sotme ishte në shenjë falënderimi për profesionistët shëndetësor.
Osmani u shpreh e kënaqur edhe me investimet që janë bërë në disa klinika të QKUK-së, me theks të veçantë në Emergjencë dhe Kardiologji. Profesionistët shëndetësor që do të kujdestarojnë sonte, Osmani i quajti “heronj të ditëve të sotme”.
“Ishim së bashku me ministrin (Arben Vitia) dhe drejtorin e QKUK-së që të vizitojmë Klinikën Emergjente dhe Kardiokirurgjinë. Në radhë të parë për t’i falënderuar për angazhimin vetëmohues të gjithë mjekët, infermierët, teknikët dhe gjithë stafin të cilët përderisa shumica dërmuese e qytetarëve festojnë ndërrimin e motmoteve afër familjeve të tyre, këta heronj të ditëve tona sigurohen që edhe gjatë ndërrimit të motmoteve të punojnë për shëndetin e qytetarëve tanë”, tha Osmani.
“Përderisa gjatë këtij viti ka pasur jo vetëm angazhim por edhe një investim të jashtëzakonshëm që nuk e kemi parë më përpara në vitet paraprake në shumë sektorë dhe ndryshimet po shihen në shumë klinika që i kam vizituar, natyrisht që edhe në vitin 2024 shumë prej këtyre klinika që i vizituam sot, do të shohin edhe më shumë investime e përparime dhe natyrisht më shumë shërbime kualitative shëndetësore për qytetarët tanë”, u shpreh Osmani.
E ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se qytetarët më shumë po i besojnë sektorit publik se sa atij privat. Këtë e bazoi në shërbimet që janë dhënë nga Klinika e Kardiologjisë.
“Sot e njoftuam presidenten përveç të tjerash edhe me investimet që janë bërë dhe po bëhen gjatë kësaj kohe, sidomos në Klinikën Emergjnte, qendër e cila tashmë është zhbllokuar dhe pritet shumë shpejt renovimi dhe më pastaj përfundimi i qendrës së re emergjente që do të jetë një qendër model emergjente në rajon dhe po ashtu në Klinikën e Kardiologjisë ku sivjet kanë arritur rekorde të shërbimeve sidomos në Kardiologjinë Invazive me mbi 4 mijë koronografi dhe me mbi 2200 stentime, të cilat tregojnë se pacientët çdo ditë e më shumë po i besojnë sektorit publik dhe shumica e këtyre pacientëve po i marrin shërbimet në sektorin publik”, tha Vitia.
Vitia foli edhe për furnizimin me barna nga lista esenciale, për të cilat tha se është më mirë se asnjëherë më parë, ndërsa materialet siç janë stentimet, janë të një cilësie më të lartë që ekzistojnë në tregun botëror.
“Në anën tjetër më erdhi mirë, u njoftova edhe nga dy drejtorët se pajisja me barna nga lista e barnave esenciale dhe materiali shpenzues, është më mirë se kurrë dhe në anën tjetër po ashtu edhe materialet siç janë stentet, janë materialet e cilësisë më të lartë që ekzistojnë në tregun botëror, gjë të cilën reflektohet në shëndetin dhe në cilësinë e shërbimeve te pacientët tanë”, tha tutje Vitia.