Një Vit i Ri po vjen. Dhe është e kuptueshme që çdokush nga ne rendit, përcakton, mendon ca synime që vitin e ardhshëm të mund t’i përmbushë; qoftë kjo një sfidë me veten apo diçka më shumë.
Çdo gjë që na e bëri të pamundur suksesin apo gëzimin e një udhe të gjatë përpjekjesh në punë a në dashuri. Në familje a në shoqëri. Mes miqsh apo armiqsh.
Sfida që nuk ja dolëm dot t’i përmbushnim në këta 12 muaj kalendarikë. Ca premtime të thjeshta të një Viti të Ri, që thjesht ndërron faqe. Sepse unë besoj se koha është po ajo.
E njëjtë. Sepse janë njerëzit që e bëjnë atë të ecë.
Viti 2024 erdhi për pak. Dhe vetëm ne e kemi mundësinë të zgjedhim se si ai do të duhet të fillojë.
Të vrapojmë apo të ndalemi? Të fitojmë apo të humbasim? Të duam apo të refuzojmë? Të mendojmë apo të përjashtojmë? Të korruptohemi e t’i lemë fatet tona në duart e drejtësisë apo të vazhdojmë të fshehim fajin duke menduar se kështu mund të shijojmë lirinë?
Ndaj secili e bën vetë zgjedhjen e vet. Dhe gjithçka që mund të bësh pas kësaj është që të presësh. Të presësh që koha të shestojë mendimet dhe ujrat që vijnë jo vetëm nga malet duke ushqyer oqeanet, të pastrojnë lumenjtë. E bashkë me to dhe ranishtet në anë të tyre.
Vetëm pak minuta ka mbetur nga viti i ri dhe premtimi që do duhet t’i bëjmë vetes për t’u larguar nga ‘bota e errët’ të cilën secili nga ne e ruan, e fsheh apo e mbron brenda vetes ndërsa e thërrasim sa herë jemi në ‘tym’, është i njëjti sa herë koha ndërron.
Por sfida tani do të jetë edhe më e madhe. Sepse sa herë viti ndërron, jeta nuk është më e lehtë.
Pavarësisht se jemi më të rritur. Pavarësisht se jemi më profesionist. Pavarësisht se kemi më shumë para. Më shumë hapësirë mendimi dhe më shumë shtëpi banimi. E vërteta është se ajo vjen në një pikë dhe ndalet. Derisa e humbasim.
Do të mjaftonte një çast kritik në jetën tënde, kur e mira dhe e keqja të bëhen befas bashkë dhe bota të duket krejt ndryshe. Vetëm atëherë e kupton se si çdokush në një situatë të vështirë mund të ndërmerrte një vendim të papritur.
Edhe njerëzit që ne besojmë se janë më fisnikët… Dhe ti habitesh e që atëherë, nis e beson se gjithçka që të mbetet është instinkti.
Instikti, i cili thuajse kurrë nuk na braktis. Të paktën, kjo është ajo që ne duam të besojmë. Që të vazhdojmë të shpresojmë se gjërat do të shkojnë mirë.
Me qëllimin sfidues për të lundruar pa ndalur drejt së ardhmes sonë.
Për sa kohë të ndihemi ende zotër të fatit tonë.