Nga mesnata, qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Shengen.
Fluturimi i parë do të jetë sot, 1 janar, në orën 8:00 të mëngjesit.
Derisa një fluturim tjetër i veçantë të hënën do të jetë me fillim nga ora 10:30.
Kjo pasi Qeveria e Kosovës, në kuadër të fushatës informuese për liberalizimin, e ka organizuar udhëtimin e parë pa viza për fituesit me fat nga kuizi i BE-së.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, do të urojnë dhe përshëndesin qytetarët e parë që do të udhëtojnë pa viza, dhe do të mbajnë konferencë për media.
Konferenca mbahet me datën 1 janar 2024 në Aeroportin “Adem Jashari” në Terminalin kryesor në ora 10:00.
Për çka shërbejnë udhëtimet pa viza?
Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe assesi për qëllime punësimi.
Rregullat për lëvizje të lirë përcaktojnë qartë se në rast të shkeljes së tyre, ka gjobë financiare dhe ndalim të hyrjes në Schengen deri në pesë vjet.
Abuzime janë qëndrimi më shumë se 90 ditë brenda gjashtë muajsh në Schengen, punësimi pa leje, përfshirja në veprimtari kriminale e të tjera.
Udhëtimet pa viza mund të realizohen edhe për takime biznesi apo programe studimesh, por periudha e qëndrimit në zonën Schengen nuk duhet t’i kalojë 90 ditë brenda gjashtë muajsh.
Çfarë duhet të dini para udhëtimit pa viza?
Integrimi Evropian i Kosovës ka treguar se cilat janë dokumentet të cilat nevojiten për të lëvizur lirshëm në zonën Shengen.
Pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëndrimin si rezervimi i hotelit, detajet e udhëtimit (dokumenti i biletës), dokumentet e veturës (nëse udhëtoni me veturë) dhe dëshmi për mjetet financiare. Këto janë pesë dokumentet që ju nevojitën.
Po ashtu, ju duhet të paraqitni edhe informata të sakta mbi vendin dhe qëllimin e udhëtimit.