Se sa po kujdesën institucionet që mos të shembët historia jonë nga monumentet kulturore e trashëgimore për Kullat e Jasharëve për objektet kulturore që janë djegur, ka folur historiani Frashër Demaj.
Demaj thotë se është nderë me u kujdes për Kullat e Jasharajve pasi janë simbole të luftës për liri e pavarësi.
“Kullat e Jasharajve janë simbole të rezistencës kolektive të shqiptarëve dhe luftës për liri e pavarësi. Ato janë monumente unike që identifikojnë një ngjarje rrallëherë të përsëritshme në historinë shqiptare por edhe më gjerë. Prandaj është në nderin tonë si brez që të tregojmë kujdes të veçantë për ato kulla”.
Për tu njohur historia e luftës së Adem Jasharit institucionet e kanë detyrim ta shndërrojnë Prekazin në atraksion turistik, thotë historiani Demaj.
“Është detyrim i institucioneve të shtetit që përtej kujdesit ndaj tyre, Prekazi dhe Kullat e Jasharajve të shndërrohen në atraksion turistik dhe të vizitohen nga turistë të huaj të cilët përmes monumenteve do të njohin historinë e luftës së Adem Jasharit dhe popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, tha ai.
Demaj thotë se jo vetëm Prekazin e Kullat e Jasharajve por edhe monumentet e vjetra duhet të ruhen.
“Është në përgjegjësinë e institucioneve shtetërore që përmes atyre profesionale kulturore të ruhen monumentet e rëndësishme të cilat identifikojnë periudha dhe personalitete historike të cilat kanë lënë gjurmë dhe kanë vulosur fatet historike të popullit tonë”, u shpreh ai.
Historiani Demaj tha se gjendja jo e mire e monumenteve historike tregon kujdesin institucional.
“Në rend të parë duhet të themi që ka plot monumente të rëndësishme të paidentifikuara, sidomos ato të periudhës antike dhe mesjetare. Në rast se monumentet kulturo-historike nuk janë në gjendjen më të mire, atëherë konstatohet se ka mungesa të theksuara sa i takon kujdesit institucional ndaj monumenteve kulturore”.
Se duhet të restaurohen monumentet e dëmtuara e thotë edhe Demaj.
“Dëmtimi i monumenteve për arsye të ndryshme nuk nënkupton shkatërrimin e tyre. Ato edhe pas dëmtimeve duhet të restaurohen dhe konservohen në mënyrë që ta ruajnë vlerën e tyre kulturo-historike”, ka përfunduar Demaj.
Kosova ka në mbrojtje të përhershme edhe disa objekte të trashëgimisë kulturore, në mesin e tyre: Manastiri i Deçanit, ai i Graçanicës, Patriarkana e Pejës, Kalaja e Prizrenit e Xhamia e Sinan Pashës.