Si shumë vende të tjera, edhe Kosova gjatë vitit 2023 ishte përballur me rritje të theksuar të çmimeve.
Rënia e ofertës në tregjet ndërkombëtare, mungesa e kapaciteteve prodhuese të brendshme dhe rritja e ndjeshme e kërkesës, konsiderohen ndër shkaktarët kryesorë për këtë situatë.
Rritje e vazhdueshme dhe e pakontrolluar e çmimeve të artikujve bazikë në Kosovë, po e rëndon gjithnjë e më shumë gjendjen ekonomike të shumë familjeve.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka bërë të ditur se indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2.9 për qind në muajin nëntor të 2023-tës, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Sipas ASK-së, ngritja e çmimit të konsumit ka ndodhur te pemët 19,4 për qind, perimet 16,1 për qind, mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë 10,8 për qind.
Po ashtu, sipas këtij raporti, sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (7,7%), prodhimet ushqimore (7,0%), veshjet dhe këpucë (6,0%), pijet alkoolike, duhani (5,9%), rekreacionet dhe kultura (5,3%), energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (4,8%), buka dhe drithërat (3,5%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (2,7%) dhe mishi (1,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,1 për qind në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK-it).
Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: vajrat e yndyrat (-10,3%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj (-4,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it.
Kurse indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0,1%) në muajin nëntor 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022, muajin tetor 2022.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit të nëngrupet e COICOPI-it: biletat e fluturimeve (8,4%), karburantet dhe lubrifikantet për pajisjet e transportit personal (5,3%), perimet (4,8%), shërbimet për transport (4,7%), mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (1,2%), blerja e automjeteve (1,1%) dhe pijet alkoolike, duhani (0,9%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,0 për qind në IHÇK”, thuhet në raportin e publikuar nga ana e ASK-së.
“Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: shërbimet për transport (-4,0%) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,6%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,4 për qind në IHÇK-it.
Ndryshimet mujore dhe vjetore të çmimeve në % për grupe dhe nëngrupe të COICOP-it, Kosovë, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ndërsa, ngritja e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike, gazi dhe lëndët djegëse të tjera (2,9%), qumështi, djathi dhe vezët (0,8%) dhe ushqimi dhe pijet joalkoolike (0,2%), dhe me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-it, thuhet në raportin e publikuar nga ana e ASK-së.
Ekonomisti Egzon Kastrati, rreth kësaj çështjeje, ka thënë se mungesa e sektorit të fuqizuar të prodhimit për mbulimin e kërkesës së konsumit dhe varësia nga importi janë arsyet e rritjes së çmimeve në Kosovë.
“Shkaqet kryesore të rritjes së çmimeve në Kosovë janë: e para mungesa e sektori të fuqizuar të prodhimit për mbulimin e kërkesës së konsumit të brendshëm, pastaj varësia e madhe nga importi, dhe kjo si pasojë e luftës Ukrainë-Rusi ku ka pasur një impakt në dyfishimin e inflacionit, sidomos për produktet bazike, esenciale e me implikime të mëdha, sidomos te vendet në zhvillim”, ka thënë Kastrati.
Tutje, ai ka thënë se “ulja e TVSh-së për produktet bazike esenciale, rritja e listës së produkteve që paguajnë TVSh të përgjysmuar dhe se më efikase fuqizimi i prodhimit të brendshëm dhe rritja e inspektimeve për luftimin e karteleve që mund t’i bëjnë bizneset për qëllime të profiteve personale” mund të mbajnë inflacionin në nivele të volitshme dhe stabile.
I pyetur nëse vendosja e çmimeve tavan do e balanconte në njëfarë forme zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme, ai është shprehur se kjo nuk do të ndikonte aq shumë në uljen e marzhës së fitimit për bizneset e mëdha.
“Në aspektin ekonomik do të kishte ndikim sadopak në uljen e marzhës së fitimit dhe normalisht në ulje të çmimit të shitjes që nuk do të ishte problem për bizneset e mëdha, por kjo do të kishte impakt negativ për bizneset e vogla familjare dhe do të ndikonte drejtpërdrejt në mbylljen e shumicës së tyre”, ka përfunduar ai.
Në anën tjetër, ish-zëvendës ministri në Qeverinë “Kurti I”, ka reaguar për mungesën e politikave efektive për zbutjen e ndikimit negativ të inflacionit.
Sipas tij, vendosja e çmimeve tavan do të ishte ndër kryesoret që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme.
“Vendosja e çmimeve tavan nuk ishte politika e parë që do të duhej të mendohej, por në kushtet e Kosovës ishte ndër kryesoret që do të mund të ndikonte në zvogëlimin e keqpërdorimeve të brendshme. Ajo nuk u bë dhe tash mbetet të menaxhohen pasojat, një ndër të cilat mund të jetë edhe ky trendi i tmerrshëm i grabitjeve e plaçkitjeve”, ka shkruar Jakurti.
Ndryshe, ditë më parë, për inflacionin që po vazhdon prej vitit 2022 kur ishte në kulm, ka reaguar ish-kryeministri, njëherit deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, duke thënë se këta të fundit patën kërkuar që të indeksohen pensionet dhe asistenca sociale për t’i mbrojtur familjet nga thellimi i varfërisë.
Po ashtu, sipas tij, “do të duhej të ulej TVSH-ja nga 18% në 8% për plot mallra shtesë që janë elementare për konsumin e familjes”.
Mirëpo, ai thotë së këto kërkesat hasën në veshë të shurdhër vetëm pasi propozimet e bëra ishin nga opozita.
“Si rezultat, sot 10% e familjeve janë dukshëm më të varfra se në vitin 2021. Po ashtu, për shkak të rënies së fuqisë blerëse të të ardhurave të familjeve, sot familjet i shpenzojnë rreth 60% të të ardhurave në ushqime, krahasuar me 38% në vitin 2021. Tani shpenzojnë mbi 50 milionë euro ndihma të njëhershme, që nuk zgjidhin asnjë problem afatgjatë”, ka shkruar Hoti.
Problemi në afat të gjatë, sipas tij, do të ishte zbutur nëse do të indeksoheshin me kohë pensionet dhe asistenca sociale për normën e inflacionit.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, të mërkurën e 13 dhjetorit, ka marrë vendim që pensionistëve dhe fëmijëve t’ua ndajë nga 100 euro shtesë për fundvit.
Vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për ndarjen e 100 eurove shtesë për fëmijët dhe pensionistët është kritikuar nga opozita, por nga mazhoranca lavdërohen se po përmbushin premtimet e dhëna nga ekzekutivi.