Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Bisedat që nuk duhet t’i bëni me një njeri që sapo e keni takuar

Mbani parasysh këto këshilla herën tjetër që do të njihni një person të ri dhe do të përfshiheni në një bisedë me të. Nga mendimi për punën te politika, feja dhe seksualiteti, ja temat e ndaluara

Nuk ka rëndësi nëse po prezantoheni te një koleg i ri i zyrës apo jeni në një takim me një klient të mundshëm, hapja e temave të mëposhtme do t’ju shkatërrojë totalisht mundësinë e të bërit përshtypje.

Kur jemi nervozë themi disa gjëra pa i menduar gjatë, flasim më shpejt se zakonisht dhe themi më shumë nga sa duhet. Ja disa këshilla që do t’ju ndihmojnë të mos thoni gjërat e gabuara.

E urrej kompaninë ose shefin tim

Asgjë nuk lë përshtypje më të keqe sesa negativiteti. Pavarësisht nëse është e vërtetë apo keni të drejtë për diçka, është më mirë të lini pa thënë disa gjëra në botën e biznesit. Ose të paktën përmbahuni që të mos i diskutoni që në takimin e parë me dikë. Nëse keni një ankesë të drejtë ndaj dikujt, diskutojeni me personin në fjalë dhe jo me të tjerë.

Sa e ke rrogën?

Sasia e parave që një person fiton është krejtësisht personale. Është e pasjellshme t’i kërkosh dikujt të të tregojë se sa para merr në muaj. Nëse jeni vërtet kureshtar apo është shumë e rëndësishme për juve bëni disa kërkime në internet për profesione të caktuara.

Më falni që ju shqetësova

Përse po e thoni këtë gjë? Mund të duket si një normë sjelljeje por kjo ju tregon të dobët në sytë e të tjerëve pasi ju nuk keni bërë ende asgjë që ta shqetësojë tjetrin. Në vend të kësaj fraze drejtojuni tjetrit me fjalët “Më falni. Keni një minutë kohë?”. Funksionon më mirë.

Për kë do të votosh?

Është rregull kryesor që të mos i përmendni temat politike. Sidomos gjatë kohës së zgjedhjeve. Ndonëse ju mund të keni prirje shumë të forta politike, këto janë çështje bindjesh dhe i japin bisedës një ngarkesë emocionale dhe subjektive.

A beson në Zot?

Është më mirë ta shmangni këtë çështje, por ndonjëherë ndodh. Nuk ka rëndësi nëse besoni apo jo, kur takoheni për herë të parë me një person tjetër mbajeni diskutimin sa më objektiv.

Orientimi seksual

Kurrsesi në takimin e parë nuk duhet të flisni për seksualitetin tuaj me të tjerët. Ky orientim është një temë diskutimi që i vë të tjerët në siklet dhe mund të shkojë deri në ngacmim seksual.

Kur do të lindësh?

Nëse mendoni se një grua është shtatzënë kur në fakt ajo është thjesht e shëndoshë, dijeni se ky gabim nuk ka kthim pas por përbën një ofendim të madh. Për më tepër, edhe nëse keni të drejtë është diçka shumë personale të përmendësh lindjen që në takimin e parë. Nëse gruaja nuk e përmend vetë e para, mos e hapni si diskutim.

Kjo është e pamundur

Theksimi i shqetësimeve dhe puna e vazhdueshme për t’i zgjidhur ato është diçka e mirë, por të thoni se një gjë është e pamundur, kjo tregon mungesë besimi. Nëse mendimi juaj nuk është pozitiv, përpiquni ta shmangni dhënien e një përgjigjeje.

A e more vesh?

Shpërndarja e thashethemeve është diçka e keqe në përgjithësi dhe diçka fatale në takimin e parë me një të porsanjohur. Ju nuk do të donit t’ju etiketojnë si personi thashethemexhi i grupit. Ruani profesionalizmin.

Më pëlqen shumë fustani yt

Shmangni komplimentin e pamjes apo të veshjes së dikujt në takimin e parë, edhe nëse kjo është diçka pozitive. Jo vetëm që është shumë personale por do ta bënit tjetrën të mendojë se po e gjykoni nga veshja pa e njohur më parë nga afër.

Po divorcohem

Ajo që po kaloni është e vështirë, por nuk është diçka e përshtatshme ta ndani me një person që sapo e keni njohur. Shmangni të dhënat personale dhe jepini diskutimit një pamje më të përgjithshme. Nëse flisni për telashet tuaja kjo i jep tjetrit idenë se nuk jeni shumë të aftë.

Mendoj…

Përdorimi i fjalës “mendoj se” ndonjëherë është i pranueshëm, por kur jeni vërtet i pasigurt për atë që po thoni. Kjo fjalë tregon se nuk jeni shumë të vendosur. Kur doni të thoni diçka, pohojeni qartë. Si për shembull: takimi do të jetë në orën tre.

Jam e rraskapitur

Është diçka e rëndësishme që të dukeni sa më energjike, veçanërisht kur bëhet fjalë për një takim pune. Për këtë arsye, jepini vetes një pamje të gëzuar dhe plot jetë deri në fund të bisedës.

Dukesh ndryshe nga zëri në telefon

Mos e filloni një bisedë duke lënë të kuptohet se jeni të befasuar, të zhgënjyer apo kureshtarë nga personi që sapo takuat, sepse kjo tregon se ju kishit pritshmëri që ai jua prishi.

Unë…unë…unë…

Nuk do të impresiononi askënd duke përdorur shpesh përemrin vetor “unë”. Kështu rrezikoni ta ktheni bisedën në ekscentrike dhe nuk reflektoheni aspak të hapur për sa u përket mendimeve të të tjerëve dhe gjërave të gjithëpranuara. /vizionplus.tv