Për rastin e dhunës ndaj 3 shqiptarëve në Mal të Zi ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 të ditës së sotme në afërsi të qytetit të Herceg Novit.
Të rinjtë shqiptarë kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane kur papritur janë sulmuar fizikisht nga një grup personash të veshur me uniforma ushtarake.
Autoritetet malazeze në bashkëpunim me të vendit tonë po punojnë për zbardhjen në detaje të rastit dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Deri më tani janë shoqëruar në polici 3 persona të dyshuar.
Më poshtë njoftimi zyrtar i Policisë:
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mal të Zi, ku janë dhunuar tre shtetas shqiptarë, nga disa shtetas të panjohur, sqarojmë se: Sapo kanë marrë dijeni për këtë ngjarje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin dhe Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, në Policinë e Shtetit, kanë komunikuar menjëherë me homologët në Malin e Zi, për t’u njohur me rrethanat e kësaj ngjarjeje dhe për t’iu ofruar ndihmë shtetasve shqiptarë.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka komunikuar me ministra të qeverisë së Malit të Zi, për të marrë masa që autorët e kësaj ngjarjeje të kapen dhe të vihen përpara drejtësisë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. Shtetasit shqiptarë K. M., A. D. dhe D. K. kanë qenë duke lëvizur me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit. Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike. Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.
Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit. Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë. Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas. Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’iu vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes. Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me homologët malazezë, për veprimet që po kryhen për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
Reagim i ministrit të Brendshëm, Taulant Balla:
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka falenderuar Kryeministrin e Malit të Zi Milojoko Spajic, i cili reagoi për rastin e dhunës ndaj tre shqiptarëve sot në Mal të Zi.
Më herët ministri Balla zhvilloi një bisedë telefonike me Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Danilo Šaranović pas ngjarjes së ndodhur në zonën e Herceg Novit, ku tre shtetas shqiptarë janë dhunuar nga tetë persona të veshur me uniforma ushtarake.
Ministri Balla i ka kërkuar homologut të tij malazez informacion lidhur me ngjarjen, ndërsa ka falenderuar Policinë e Malit të Zi për reagimin e menjëhershëm.