Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Hagë do të zgjasë së paku tri deri në katër vjet, thotë Nevenka Tromp, hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.
Për shtatë vjet e gjysmë, ajo shton se janë paditur vetëm gjashtë persona dhe se vetëm një rast është finalizuar. Ajo thotë se gjatë vitit të kaluar u bë e qartë se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë në aktakuza të reja dhe se këtë vit pritet përfundimi i gjykimit të Pjetër Shalës.
Në një intervistë për KosovaPress, Nevenka Tromp komenton edhe vendimin e Apelit për rastin e Salih Mustafës, për çka konsideron se gjykata ka prezantuar një praktikë të rëndë të dënimit.
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë filluar zyrtarisht punën në maj 2015. Për shtatë vjet e gjysmë, Tromp thotë se është shqiptuar vetëm një aktgjykim.
“Në shtatë vjet e gjysmë, nga gjashtë të paditur që u gjykuan në tri gjykime të ndryshme, vetëm një është finalizuar plotësisht. Gjykimi i dytë, që përfshin individin Pjetër Shala, me siguri do të finalizohet vitin e ardhshëm. Pra, në tetë vjetët e punës së Tribunalit, të Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kemi dy aktgjykime. Sa i përket katër individëve, në të ashtuquajturin gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, këta katër individë po gjykohen. Hapja e këtyre gjykimeve ishte në prill të vitit 2023 dhe nëse mund të gjykoni se sa i shpejtë ka qenë rasti i Salih Mustafës, dhe sa i shpejtë ishte (rasti i) Pjetër Shalës, atëherë mund të presim që gjykimi i Hashim Thaçit dhe të tjerëve të zgjasë së paku edhe tri deri në katër vjet”, deklaron Tromp.
Nevenka Tromp, e cila shkroi librin “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit”, shton se Dhomat e Specializuara nuk po punojnë me aktakuza të reja.
“Në vitin 2023, u bë shumë e qartë se Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk po punojnë me aktakuza të reja. Pra, për mua, viti 2023 ishte një test për të parë nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë prova dhe kapacitet për të gjykuar më shumë njerëz. Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë kapacitet, nuk kanë prova dhe mundësi për të gjykuar më shumë njerëz, atëherë mund të përfundojë si një nga institucionet ligjore më të shtrenjta pas Luftës së Ftohtë në këtë sistem të ri të drejtësisë globale, sepse do ta kemi këtë gjykatë që të punojë për 10-15 vjet vetëm duke gjykuar gjashtë individë të paditur sipas statutit dhe juridiksionit të saj”, thotë Tromp.
Gruaja, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi, teksa flet për drejtësinë e këtij institucioni, thotë se po bën histori juridike interesante.
“Drejtësia është një çështje shumë komplekse dhe ka shumë përkufizime se çfarë është drejtësia. Vetëm për t’ju dhënë një shembull, unë kam thënë se janë gjashtë individë të paditur për krime lufte dhe disa prej tyre gjithashtu janë paditur për krime kundër njerëzimit, por kjo gjykatë në fakt kishte pesë individë të paditur, të gjykuar ose që janë në proces të gjykimit për shpërfillje të gjykatës, sepse këta individë janë gjetur përgjegjës për zbulimin e materialeve konfidenciale, apo disa të fundit si, Haxhi Shala, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari janë akuzuar për ndikim dhe presion ndaj dëshmitarëve të prokurorisë. Pra, është një koncept interesant shoqëror dhe gjyqësor, ku ne kemi një gjykatë për t’u marrë me krimet më të rënda me të cilat përballet njerëzimi dhe këto janë krimet, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit në kohë konflikti dhe veçanërisht në kohë konflikti të armatosur, por më pas, pas kësaj, pesë nga të paditurit e saj janë shtetas, të cilët janë vënë në gjyq për mospërfillje të gjykatës. Pra, cilido qoftë nocioni i drejtësisë, kjo gjykatë po krijon një realitet juridik shumë interesant dhe me këtë po bën një histori juridike shumë interesante. Dhe për çfarëdo periudhe kohore që do të zhvillohet ky gjykim ad-hoc, mund të jetë një nga institucionet ligjore më të shtrenjta deri më tani”, shton Tromp teksa përgjigjet se a do të ketë drejtësi me këtë gjykim.
Tromp konsideron se dënimi për Salih Mustafën është praktikë e rëndë që gjykata e ka prezantuar.
“Nëse do të pyesni, si mund ta krahasojmë këtë gjykim të parë të formës së prerë, gjykimin e apelit në rastin e Salih Mustafës me juridiksionet kombëtare dhe me TPNJ (Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë), atëherë ne shohim diçka mjaft të pashpjegueshme, dhe kjo është praktikë jashtëzakonisht e rëndë e dënimit që kjo gjykatë ka prezantuar, dhe kjo praktikë e rëndë e dënimit dhe gjykimit do t’i bëjë absolutisht shumë njerëz të befasohen dhe të kthehen kah gjykata e të thonë “Oh, a është kjo drejtësi apo përndjekje penale? A po e përdorni këtë gjykatë dhe këtë institucion për të bërë gjykime shumë të rënda vetëm për të treguar njëfarë qëllimi selektiv dhe simbolik”, i cili është “Oh, po edhe forcat e armatosura shqiptare të Kosovës kanë kryer krime lufte” dhe ky mund të jetë realiteti që do të përdoret si argument kur vihet në dyshim se sa objektive dhe e paanshme është kjo gjykatë”, shprehet Tromp.
Krahas kësaj, Tromp thotë se në rasti i Mustafës konsiderohet si “drejtësi e ashpër” dhe se dënimi maksimal për krime lufte është 15 vjet.