Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Njoha e pasaportës nga Spanja, Maloku: S’është njohje dhe s’ka të bëjë me përmirësim të raporteve

 
   

Analisti politik, Albinot Maloku, ka thënë se pranimi i pasaportave të Kosovës nga ana e shtetit të Spanjës ka ndodhur si shkak i procesit të liberalizimit të vizave dhe se nuk ndërlidhet me krijimin e raporteve Kosovë-Spanjë.

Ndonëse e quan lajm të mirë për kosovarët, Maloku nuk pret ndryshim të qëndrimeve të shtetit spanjoll sa i përket shtetësisë së Kosovës.

Maloku ka thënë se këtë vendim nuk mund ta quajnë si proces kthese që shteti spanjoll mund ta njoh pavarësinë e Kosovës, duke marr parasysh qëndrimin e këtij shteti ndaj pavarësisë se vendit.

“Pranimi i pasaportës së Kosovës nga ana e Mbretërisë Spanjolle ndodhi si pasoj e procesit të liberalizimit të vizave nga ana e Bashkimit Evropian. Pra është një proces multilateral i këtij raporti, jo bilateral mes Kosovës edhe Mbretërisë spanjolle në kuptimin e krijimit të raporteve të caktuara duke provuar që të bëhet si njohje, pra kemi të bëjmë pranim të dokumenteve të lëshuar nga Kosova në këtë rast pasaportën e Kosovës. Gjithsesi është një hap i mirë për faktin që barrierat e deritanishme më nuk do të jenë për lëvizjen e qytetareve në Mbretërinë spanjolle dhe në këtë rrafsh është hap pozitiv. A do të mund të jetë ky moment kthese i përqasjes së Mbretërisë Spanjolle në raport me njohjen e Kosovës si shtet, nuk është që ka ndonjë ‘isharet’ dhe këtë rrafsh unë konsideroj që nuk mund të pres”, ka thënë ai.

Maloku tha se një njohje me të shpejt për pavarësinë e Kosovës e ka pritur nga shteti i Greqisë, marr parasysh vizitat e shpeshtat shtetërore që kanë bërë krerët shtetëror në atë shtet.

“Unë kam pritur që njohja të ndodh mese Kosovës dhe Republikës Helene, për arsye të vizitave të shpeshta që kanë qenë të liderëve shtetëror të Kosovës në Athinë. Faktikisht kjo nuk ndodhi, do të duhej të ndodhte për arsye se ka pasur një përafrim dhe ka pasur një raport shumë më afër të thenjës se jemi në proces të njohjes”, u shpreh ai.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës e kanë përshëndetur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, si dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.