Policia nuk ka rënë ende në gjurmë të autorëve të atentatit me snajper ndaj Gëzim Sinomati, por po hetohet në dy pista: Në atë të hakmarrjes për shkak të krimeve të së kaluarës nga Sinomatët, dhe në fushën e drogës, jashtë vendit në Belgjikë. Mbrëmjen e djeshme dritat u fikën për 10 minuta kur ndodhi vrasja e 23 vjeçarit i cili kur lindi, prindërit i vendosën emrin e xhaxhait të tij të vrarë në 1997.
Vlore – Gëzim Sinomati, i pagëzuar me emrin e xhaxhait të tij, vrarë në 1997, gjatë një përplasje bandash, po qendronte në këtë ballkon të shtëpisë së tij, pranë Poliklinikës së Vlorës, kur e qelluan me plumb në kokë.
Ekzekutimi besohet u bë me snajper. Ka një variant, që snajperisti ndodhej në një makinë tip BMW, parkuar 30 minuta para, poshtë pallatit, me fushëpamje nga shenjestra.
Por mund të jetë shtënë edhe nga një objekt përballë ballkonit të Sinomatit. Në zonë, në lagjen “Hajro Çakerri” atë kohë rreth orës 22.00, (7 janar 2024) energjia mungoi dhe për 10 minuta ishte errësirë e plotë.
Duket se kjo gjë e nxori në ballkon për të pirë cigare 22 vjeçarin që u vra. Nuk dihet nëse, ikja e dritave ka qënë e qellimshme, apo rastesi. Dyshohet për tre autorë, njeri ekzekutuesi, kurse makina, targat e së cilës ishin dubluar në Fushë Krujë, u gjet e djegur në në lagjen “24 Maji”.
22 vjeçari që kishte ardhur për të festuar Vitin e Ri më nënën e divorcuar, është djali i Sokol Sinomatit i dënuar për vrasje në 3 janar të vitit 2000, ku gjatë një tentative për të ekzekutuar Sokol Nuhon, qëlloi gabimisht Luigj Xhafën, kalimtar të rastit me bicikletë.
Në 2014 Gjykata e Lartë atëherë me relator Edmond Islamaj vendosën që Armando Sulejmani (Cipuri) dhe Sokol Sinomati me pseudonimin “Buzëderri”, të dy ushtarë të bandës së Gaxhait – të mos dënoheshin me burgime përjetë si pjesëmarrës në bandën e armatosur të Gaxhait, por të dënoheshin me akuzën e “Vjedhjes me dhunë” në bashkëpunim me 16 vite burgim, çka fituan lirinë për këtë çështje.
Por duke qënë të dënuar për një tjetër krim në Vlorë, në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Elton Tato dhe u plagos Robert Boraku, Sinomati qendroi në burg, deri në në 2017. Atë kohë, ai mori një leje të posaçme, dhe nuk u kthye më në burgun e Peqinit. Shpallja e tij në kërkim me kartele jeshile rezulton të jetë kryer në datë 12 shtator 2017.
Menjëherë, sapo doli nga burgu ai mori të vëllanë Bernardin dhe djalin e tij dhe u largua nga Shqipëria dhe u vendosën në Belgjikë. Referuar ngjarjeve të mëparshme dyshohet se vrasja e të riut ka ndodhur motive hakmarrje, por ka dyshime edhe për implikim në trafikun e drogës. Dy vite më parë më 3 janar, vëllait të viktimës, Bernard Sinomatit i vendosën tritol në automjetin e parkuar në lagjen “Hajro Çakërri” në të njëjtin vend ku ndodhi ekzekutimi mbrëmë. Bernard Sinomati rezulton i dënuar edhe në Belgjikë, ku nga burgu ka dalë në vitin 2021.
12 qershor 2015- Mbahet mend nga vrasjet më të bujshme në vend, për shkak se Xhabir Shega, ishte nga ata kriminelë që ruhej ekstremisht. Por qitësi me snajper ishte pozicionuar në kodrën e Kalasë së Rozafës përballë shtëpisë së Shegës. Viktima i kishte mbijetuar një tjetër atentati me snajper një vit para ngjarjes.
Qershor 2017- U regjistrua një tjetër atentat me snajper drejt një të paraburgosuri. Qitësi shkrehu snajperin nga kodra pranë burgut të Vaqarrit. Atë kohë u tha se shënjestër e atentatit ishte Gazmir Daci, por i plagosur mbeti kosovari Lili Dule.
9 mars 2000– Ilir Bardhi u ekzekutua me snajper brenda qelisë së tij në burgun 313 në Tiranë. Snajperi ishte vendosur në dritaren e një pallati pranë godinës së burgut, gati 200 metra larg në vijë ajrore. Bardhi ishte arrestuar si i dyshuar për një vrasje të dyfishtë.
Janar 2020- Një ekzekutim mafioz me snajper ishte ai i biznesmenit Kastriot Reçi, në Rrëshen. Ai u qëllua me plumb në zemër kur po ecte në qendrën e qytetit. Killeri ishte vendosur në katin e fundit të një pallati 9-katësh, ku sipas dëshmitarëve ishte futur i maskuar si grua.
7 janar 2024- 22-vjeçari Gëzim Sinomati u ekzekutua me plumb në kokë. Ai ndodhej në ballkonin e banesës në katin e tretë të një pallati në lagjen “Hajro Çakërri’ në Vlorë. I riu, sapo ishte kthyer nga Belgjika dhe kishte dalë të pinte cigare në ballkon. Në zonë energjia u ndëpre për 10 minuta