Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) t’i japim më shumë mbështetje ushtarake Ukrainës gjatë këtij viti, e cila është duke e luftuar pushtimin rus.
Scholz i bëri këto thirrje gjatë një konference për shtyp me kryeministrin e Luksemburgut, Luc Friedman, më 8 janar në Berlin.
“Dërgesat e armëve për Ukrainën, të planifikuara nga shumica e vendeve anëtare të BE-së tani, janë shumë të vogla… unë u bëj thirrje aleatëve tanë në Bashkimin Evropian që gjithashtu t’i rrisin përpjekjet e tyre për Ukrainën”, tha Scholz.
Gjermania është mbështetësja e dytë më e madh ushtarake e Ukrainës, pas Shteteve të Bashkuara.
Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.
Ukraina ka regjistruar ndryshim të vogël të linjës së kontrollit, pas nisjes së kundërofensivës pranverore, dhe tani po përballet me një rënie graduale të ndihmave prej aletëve në Uashington dhe Evropë.
Ndërkohë, Rusia është duke i vazhduar sulmet mbi Ukrainë.
Më 8 janar, ushtria ruse i sulmoi rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash, duke i vrarë së paku katër persona, plagosur mbi 40 të tjerë, si dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike, thanë zyrtarët ukrainas.
Ushtria ukrainase tha se në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, u lëshuan sirena për sulme ajrore më 8 janar.