Në ditët e para të vitit 2024, në një humbëtirë të theksuar të idesë qeverisëse, Ramës i ka ikur edhe “inovacioni” i mendimit. Ai doli me një ide rishtare, duke bërë ndryshime në kabinetin qeveritar jo me lëvizje ministrash, por në krijimin e një ministrie të re. Edhe emërtimi duket kaq me çudi ashtu sikurse edhe drejtuesi i ri i kësaj ministrie. Në një postim në rrjetet sociale kreu i qeverisë shkruan se ka vendosur të krijojë Ministrinë e Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës. Ka marrë copëza në tre ministri për t’i bërë në një, me ofertën “bli një merr tre” dhe një Gonxhe falas…
“Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”-shkruan Rama.
Po kush është “inovatori” Gonxhe? Rama e ka pasur “fiksim” që në ditën e parë kur sipas ish-kryeministrit Fatos Nano “u mor nga Franca me thonj të paprerë” dhe e bëri Ministër Kulture në vitin 1998. Gonxhe u emërua nga Rama shef kabineti. Dy vite më vonë, kur Rama u bë kryetar i Bashkisë Tiranë, Goxhe nisi të “lulëzonte” si nënkryetar dhe u bë shpejt një personazh mjaft i njohur për ndërtuesit. Ishte koha kur u fut në skenë skema “20% për shefin”… Një ndërmjetës gjendej gjithnjë aty me …
Për lulëzimin gradual të Gonxhes së vyer, u kujdes ta “vadiste” edhe Erion Veliaj, i cili e emëroi drejtor i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit. Kulmin e karrierës së Gonxhes ishte Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor. Nën drejtimin e tij ky institucion është vënë shpesh në akuza publike sidomos nga opozita. Afera të shumta tenderash në të ashtuquajturën “modernizim”. Madje vetë Gonxhe ishte hapur në “konflikt interesi” pasi kishte në pronësi shoqëri transporti kombëtar dhe ndërkombëtar e madje i afeksionuar shumë pas makinave retro. Jo pak tendera të zhvilluara nga Drejtoria e Përgjithshme e Trasportit Rrugor janë me flamuj të kuq, jo vetëm si të dyshuara me garë të paracaktuar por me lidhje të mundëshme me bizneset e tij.
Gonxhe në korrik të vitit të kaluar është thirrur në SPAK, por doli “i qetë” duke thënë se ishte aty për një çështje personale, që nuk kishte të bënte me institucionin që drejtonte. Shumë zyrtarë dhe ish-zyrtarë kur dalin nga SPAK shprehen se shkuan për një problem të vogël, e madje edhe për ndonjë kafe. Megjithatë Rama ka vendosur t’i besojë një ministri të re, të krijuar rishtas dhe shumë pa kuptim për rolin që do të kryejë. I rrituri në saksinë e Ramës tashmë është bërë lule./Boldnews