Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Njohën si të rregullta faturat fiktive në vlerë të 18 milionë eurove, këta janë zyrtarët e ATK-së që u arrestuan sot

 
   

Trembëdhjetë persona, prej tyre dymbëdhjetë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.

Media ka siguruar listën me emrat e 12 zyrtarëve të ATK-së, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, bashkë me biznesmenin prizrenas, Feim Pulaj.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.

 Image
 Lista 
 

“Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Gjatë aksionit në pronat e njërit prej të dyshuarve janë gjetur dhe sekuestruar një sasi armësh, tri të gjata, tri të shkurtëra, pajisje elektronike, telefon e prova të tjera materiale.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.