Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Jasharaj: Nagavci duke joshur me gradim, e ka në plan t’i degradojë mësimdhënësit në testin me shkrim

 
   

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj ka reaguar pas deklarimeve të ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, se mësimdhënësit që do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar do t’i nënshtrohen testit me shkrim.

Ai në një deklaratë për media ka thënë se ministrja Nagavaci nuk është zëri i mësimdhënësve në Qeveri pasi ajo asnjëherë nuk ka pranuar kërkesat e SBASHK-ut për mbajtjen e një takimi të përbashkët në të cilin do të diskutohej mbi kushtet në të cilat punojnë aktualisht mësimdhënësit në Kosovë.

“Punëtorët e arsimit duhet të dinë edhe ca të vërteta të tjera nga “miqësia” për ta e ministres Nagavci. Ajo kurrë, edhe pse e kishim lutur të bëhet zë i arsimit në Qeveri, nuk e tha as edhe një fjalë për kushtet e punës me shkumës e shpuzë. Ajo kurrë nuk e kundërshtoi ngritjen ironike të koeficientit nga 105 në 110 euro, që në arsim shton zhgënjimin dhe arsye për ta lënë këtë profesion, ngase rritja është nënçmuese për vetëm 28 euro”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka përkujtuar se sa të ketë SBASHK, nuk do të ketë test me shkrim për njohuritë e mësimdhënësve.

“Ministrja Nagavci duke e parë se në Këshillin Shtetëror për Licencim nuk mund t’i kalojë planet e saj kundër mësuesve të Kosovës, pa u bërë publike e pa u zhvilluar debate, udhëzoi bashkëpunëtorët e saj dhe disa të tjerë dhe e hoqën nga përbërja e Këshillit Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënëse përfaqësuesin e vetëm të tyre – SBASHK-un. Pse? Për të bërë eksperimente e për të vendosur çdo gjë kundër punëtorëve të arsimit, pa pasur kush të kundërshtojë e të bëjë publike këto angazhime të saj”, ka theksuar Jasharaj.

Ai ka përmendur se në prillin e kaluar ishte vendosur të shpallej ftesa për trajnime dhe ishte vendosur që deri atëherë trajnimet që janë në proces të vazhdonin, por ministrja Nagavci kishte ndalur këtë mundësi.

“Një vit e më shumë kaluan dhe ende nuk është saktësuar, se cilat trajnime do të licencohen dhe nuk dihet se cilat do të licencohen sepse përfaqësuesi i punëtorëve të arsimit nuk është në Këshillin Shtetëror të Licencimit të Mësimdhënësve. Nuk është në këtë Këshill, sepse i ka penguar Nagavcit e të tjerëve që kanë dashur ta nënçmojnë mësuesin e ta mbajnë nën tensionin e të ashtuquajtur test”, ka shtuar Jasharaj.

Ai ka thënë se Nagavci, duke joshur me gradimin, e ka plan për t’i dërguar e degraduar të gjithë mësimdhënësit në testin me shkrim, andaj duhet pasur kujdes në këtë drejtim.

“Ajo po vendos vetë pa përfaqësues të SBASHK-ut, prindërve, kolegjiumit të drejtorëve, Asociacionit të Komunave. Kujdes! Duam avancim, por me marrëveshje dhe pa degradim e nënçmim të gjithë arritjeve tona në gjithë ato vite të studimeve”, ka përfunduar Jasharaj.

Ndryshe, ministrja Nagavci, ka shprehur bindjen se mësimdhënësit do të aplikojnë për t’u pajisur me licencë të avancuar që nënkupton nënshtrimin e testit me shkrim. Ajo ka deklaruar se kanë miratuar udhëzimet administrative, të cilat rregullojnë procesin e licencimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, si dhe vlerësimin e performancës së tyre.