Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Selam Shkodra, ka thënë se Kosova nuk duhet të ndihet e kërcënuar nga ndonjë sulm eventual.
Megjithatë, sipas tij duhet të jemi të gatshëm për çdo gjë e të marrim masa sa i përket aspektit të sigurisë në vend.
“Kosova duhet të marrë masa preventive të jetë gati, por e kërcënuar s’ka nevojë të ndihet, NATO është e pranishme. Kosova sigurohet me rezolutën e OKB-së, Institucionet e vendit duhet të organizohen të marrin masa që t’i përgjigjen sfidave dhe armatimit të Serbisë, Serbia prin për nga armatimi në rajon”, tha ai.
Ai theksoi se Serbia është duke u armatosur vazhdimisht, por që sipas tij siguria në rajon e sidomos në Kosovë është stabile sepse ka monitorim ndërkombëtar.
“Nëse ka dikush që ka bërë një garë për armatim në rajon, është Serbia. Kosova po vazhdon me përgatitje të veta, kemi lajme të cilat një numër të madh të blindave kanë ardhë për Policinë dhe FSK-në në përputhje me sfidat e sigurisë. Çështja e sigurisë është makro, është çështje e sigurisë ndërkombëtare, kemi pasur deklarata të Cameron pore dhe të Macron që çështja e sigurisë në Kosovë është edhe e Evropës”, tha ai.
Shkodra tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq po vazhdon të sillet si presidenti rus, Vladimir Putin.