Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lifestyle

Bozo në “Quo Vadis”: Çfarë më bëri përshtypje kur isha studente në Moskë

Inxhinierja Luljeta Bozo, sot 81-vjeçe ka rrëfyer në “Quo Vadis” të moderatores, Pranvera Borakaj, se si ishte jeta e saj gjatë kohës që studioi në Moskë.

Bozo tha se ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje ishte kultura.

Sipas saj në çdo rrugë shihje njerëz që lexonin, madje edhe kur ishin në radhë duke pritur tramin.

Pjesë nga biseda:

Luljeta Bozo: Ata janë një popull me shumë kulturë. Nuk shikoje një njeri të rrijë pa libër. Edhe në tram kur prisnin për radhë do nxirrnin nga çanta një libër dhe do lexonin, nuk shtypej njeri atje. Mbushej autobusi, rrinin prisnin aty, do vinte tjetri. Librin e kishin të pandarë, kjo tregon se ishin një popull me shumë kulturë. E dyta në Universitet kishin një respekt të paparë për punën e studentit, që këtu nuk e gjeta unë kur erdha në vit të dytë. Ai pedagogu i vizatimit, që nëve na dukej plak, ai mund të ishte te 50-60 vjeç, por ne na dukej i vjetër se ne ishim 18-vjeç, ai merrte fletën, vizatimet bëheshin me laps, vinte dy letra të bardha që mos bëhej pis fleta e vizatimit dhe lehtë fare vinte pikëpyetje që tregonte që këtë se ke bërë mirë, rregulloje, që të kishe mundësi ta rregulloje pa prishur të tërën. Kurse kur erdhëm këtu, kishim pedagogë që i thoshin studentit e ke mirë, dhe kur shkonte ta dorëzonte i fuste një kryq të madh, ku shkoi kjo punë e studentit në kosh. Të edukonin me njënjën e punës, me ndjenjën e kujdesit dhe me edukatën për respekt për punën e tjetrit. Ne shkuam bashkë me shoqen time Poliksenim për të parë “Liqenin e Mjelmave”, harxhuam gjysmën e bursës se ishte bileta më e shtrenjtë, ose e shoihje ose nuk e shihje. Vajtëm në Teatër që pamë “Idiotin” e Dostojevskit, pamë shfaqe të tjera. Në atë kohë ishte dhe Gaqo Çako që mbronte diplomën me “Bohemën”, vajtëm pamë dhe atje.

Pranvera Borakaj: Po çunat rusë ju ngacmonin?

Luljeta Bozo: Jo, ishte Institutë ndërkombëtar ku ne kishim, rusë, finlandezë shumë vietnamezë.

Pranvera Borakaj: U mërzitët vitin tjetër që nuk shkuat më?

Luljeta Bozo: Jo ne u mërzitëm vitin e parë, bënim plane si të ktheheshim. I paguam vetë biletat që të vinim, pasi shteti i paguante njëherë në dy vjet. Jo se u mërzitëm ashtu ishte koha, deri sa u ndërprenë të gjitha marrëdhëniet dhe të gjithë po ktheheshin, do ktheheshim dhe ne, çfarë do të bënim.

/Vizion Plus.tv/