Kryeministri Albin Kurti në konferencën e përbashkët për media me Kryeministrin irlandez, Leon Varadkar, u pyet për deklaratën e tij ku shprehte gatishmëri ta shkruajë draftin e Asociacionit bashkë me dy ministrat e tij.
Kurti tha se nuk ka dhënë premtim për shkrimin e Asociacionit, por se ka shprehur aftësinë e tij për të shkruar një draft të tillë, derisa bëri thirrje që Asociacionin të mos e nxjerrin nga paketa e marrëveshjes së fundit Kosovë-Serbi.
“Nëse është çështje e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj, pra nuk i kam dhënë premtim tjetrit, por kam shprehur aftësi vetjake për ta shkruar dhe le ta diskutojmë. Por, mos të ngatërrojmë hierarkinë e gjërave – marrëveshja bazike, aneksi i zbatimit dhe vetëm më pas mund të flasim për Asociacionin. Të gjithë ata që e nxjerrin Asociacionin nga paketa i bëjnë dëm Kosovës. Nuk mund ta nxjerrësh Asociacionin nga paketa dhe ta bësh prioritet për nga koha ose në qendër për nga hapësira e tryezës. Nuk është top prioriteti i normalizimit, është marrëveshja bazike. Të gjithë kolegët e mi, jo vetëm në Kosovë, unë i lus që të mos i nxjerrin nga paketa draft-statutin apo Asociacionin si një çështje”, ka thënë Kurti.
Kurti tha se dëshiron marrëdhënie normale me Serbinë dhe se marrëdhëniet normale janë marrëdhënie europiane të fqinjësisë së mirë.
“Kjo është e rëndësishme për paqen dhe rrugëtimin europian, integrimin në familjen europiane që paraqet edhe fatin tonë edhe synimin tonë”, tha Kurti, derisa tregoi edhe për shkelet e Serbisë ndaj marrëveshjes.
“Problemi është që nga 11 nenet, së paku 8 janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore, jo vetëm për zbatim, por edhe respektim. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar edhe nënshkrim. Ne insistojmë në nënshkrim të marrëveshjes. BE si arbitër të reagojë sa herë ka shkelje edhe më të vogla”.