Një vëzhgim i Report Tv në disa farmaci bujqësore në Tiranë, nxjerr në pah se sa lehtë dhe lirë mund të blihet fostoksina, që frikshëm po kthehet në një alarm për vetëvrasjes. Substanca e rrezikshme tregtohet në farmaci të licencuara bujqësore, por në asnjë rast nuk jepet pa recetë, ndryshe nga sa zbulon në fakt investigimi i Report Tv.
Fenomeni i vetëhelmimit me fostoksinë po kthehet në një problem gjithnjë e më shqetësues. Report TV bëri një vëzhgim në kryeqytet, ku konstatoi se ky produkt me veti helmuese shitet hapur në farmaci bujqësore, edhe nëse nuk ke një recetë apo kualifikimin e duhur për përdorimin e tyre.
Bedrie Loka, 41-vjeçarja, i dha fund jetës duke pirë fostoksinë, një akt i rëndë që prokuroria po e heton si pasojë të dhunës të përsëritur në familje nga bashkëshorti, sot në burg. Nëna e 4 fëmijëve nuk është e vetmja. Shumë akte të rënda vetëvrasjeje kryhen duke konsumuar fostoksinë.
Por çfarë është fostoksina dhe si tregtohet në Shqipëri?
Substanca ka veti të larta helmuese, dhe tregtohet në farmaci bujqësore. Preparati që përdoret për bujqësi bëhet edhe më toksik në prani të dritës. Nëse një njeri e konsumon, i shkakton vdekjen, e për mjekët toksikologë është e pamundur të shpëtojnë jetën e të helmuarve për shkak të shpejtësisë së veprimit të këtij preparati.
Ligji për mbrojtjen e bimëve e ndalon shitjen e fostoksinën pa një recetë, kryesisht nga agronomi, apo pa pasur një dëshmi aftësie të veçantë për përdorimin.
Por si është zbatimi i tij në terren?
Report Tv bëri një investigim në disa farmaci bujqësore në Tiranë.
Gazetarit tonë iu desh të sajojë nevojën për fostoksinë për disa thasë më fasule për të blerë 5 kokrra fostoksinë, 50 lekë secila.
Gazetari: Më tha im atë i duhen nja 100 gramë fotoksinë sepse kemi një si gjysmë dhome si bodrum, dhe ka futur fasule, bimë mjekësore, dhe i duheshin.
Tregtari: Duhet të mos kesh fëmijë në shtëpi. Për 3 javë të mos hapet fare! Është me kokrra, sa do?
Gazetari: Një kokërr sa lekë kushton?
Tregtari: 50 lekë. Duhet një kokërr për çdo thes 50 kg.
Gazetari: Më jep 5 kokrra.
Tregtari: Të ketë kujdes! Mos të ketë fëmijë dhe 3 javë të mbyllet dhoma!
Pra me vetëm 250 lekë të rinj, mund të blesh vdekjen.
Tregtari: Këto dalin dhe kryejnë punë…urdhëro!
Ky rast nuk është i veçuar. Report Tv iu drejtua një tjetër farmacie bujqësore në Tiranë. Farmacisti nuk kërkoi as recetën nga agronomi dhe as dëshminë e veçantë.
Tregtari: Ajo maksimumi gjysmë ore duhet të shkojë të përdoret sepse duhet të dali nga ambalazhi vetë. Nëse ti nuk e realizon këtë kohë unë nuk mund ta jap, sepse të shkrin dhe të bën namin në autobus, a në makinë a ku të jesh.
Gazetari: Nuk ke me çfarë m’i mbështjell 3 kokrra të iki unë?
Tregtari: Kam, me plastmas, do t’i fus në qese plastmasi dhe duhet të nxitosh!
Neni 20 i ligjit 105 “për mbrojtjen e bimëve” e përcakton qartë se: “Në njësitë e tregtimit me pakicë ndalohet ndalohet tregtimi i produkteve helmuese të mbrojtjes së bimëve, siç është fostoksina, te personat, që nuk janë të pajisur me dëshmi aftësie.
Farmacitë bujqësore sipas ligjit duhet të jenë të licencuara për të treguar fostoksinën dhe askush nuk e shet me recetë të lëshuar nga specialist.
Sipas ligjit, me propozim të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ministri i Bujqësisë, mund të revokojë licencën në rastet kur shkelen detyrimet dhe kur ka rrezik serioz për shëndetin publik dhe “është e nevojshme e urgjente marrja e masave parandaluese.’