Një 34-vjeçar është ndaluar nga policia pasditen e së mërkurës, për shkak se bashkëjetonte me një 14-vjeçare nga Roskoveci.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kryekuq i Divjakës, ndërsa që prej marsit të vitit të shkuar ata bashkëjetonin, madje kanë kryer edhe ceremoninë e dasmës.
Prindërit e 14-vjeçares nuk kanë qenë dakord për lidhjen dhe martesën e vajzës me 34-vjeçarin. Ata këmbëngulin se kanë negociuar me të bijën për ta rikthyer serish në familjen e saj, por kjo e fundit nuk ka pranuar.
Sipas prindërve të 34-vjeçarit, e mitura ka jetuar në shtëpinë e tyre që prej 15 marsit të vitit 2023 dhe pas disa muajsh kanë bërë edhe dasmë.
“Nuk i tregon çunit të drejtën se sa vjeçe ishte. Mos u thuj njerëzve tha se prindërit e mi nuk janë dakord. Na marrin në telefon dhe vijmë në Kakavijë. Vajtëm si njerëz dhe shkuam atje. Kur vijmë atje, shkojmë tek prindërit e saj dhe na thonë që djalin do ta vrasim, do ta djegim. Unë i thashë një dritë të syve kam, nuk e vrisni dot”, tha vjehrra për Neës24.
Ndër të tjera ata deklaruan se e mitura ka braktisur edhe shkollën duke i gënjyer edhe për moshën se është 17 dhe jo 14 vjeçe.