Mbrëmjen e sotme në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë, një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave më armë zjarri, ndërsa një tjetër është në kërkim nga policia për veprën penale ‘sulm’.
I plagosuri Veton Gashin i njohur më nofkën “Canki” është duke u trajtuar dhe raportohet se gjendja e tij është stabile.
Këtë e ka konfirmuar për IndeksOnline, doktori Ejup Govori.
“Gjendja e tij është stabile, ka lëndime me armë zjarri, lëndimet janë në ekstremitet të poshtme dhe është në trajtim e siper”, ka thënë Govori për IndeksOnline.
Rastin gjithashtu e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 20:15, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Bajram Bahtiri” në Prishtinë.
Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë një person ka marrë plagë nga arma e zjarrit.
Ndërkohë që i plagosuri është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor, policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Borovci për IndeksOnline.