Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se Qeveria Kurti është duke e shpenzuar të gjithë energjinë për t’i marrë meritat e liberalizimit të vizave.
Ajo ka shtuar se në vend të kësaj të rritet vëmendja për parandalimin e emigrimit.
“Derisa partia në pushtet gjithë energjinë janë duke e shpenzuar për të marrë meritat për liberalizimin e vizave, asnjë strategji e planifikim, për të rritë vëmendjen tek parandalimi i emigrimit. Të analizohen sektorët dhe faktorët shtytës se ku dhe pse po ikin qytetarët. Një qeveri që tejkalon propagandën do të duhet të merret me një çështje me rëndësi si emigrimi”.
Tutje Halimi ka shkruar se ky pushtet nuk është duke u merrë me të sotmen por vazhdon të mbetet te e kaluara.
“Trendi i qytetarëve të Kosovës për t’u larguar pritet të rritet, ndaj si e tillë kërkon vëmendje në nivel të planifikimit të politikave. Sipas studimit të Institutit GAP, arsyeja e kryesore për marrjen e vendimit për ta lënë Kosovën, janë mundësitë më të mira për punësim, derisa destinacionet kryesore janë Gjermania me 71.4%, Zvicra 11.7% dhe Austria 5.3%. Ky pushtet nuk merret me të sotmen e problemet e qytetarëve; e kaluara vazhdon të mbetet kauza e tyre e vetme dhe mirëmbajtja e varfërisë me shtesa kur pushteti i tyre rrezikohet!”, ka shkruar Sibel Halimi.