Pak ditë pas liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, shteti i Spanjës në një njoftim zyrtar ka bërë të ditur se i njeh pasaportat e Kosovës. Megjithatë, kjo nuk nënkupton që njeh edhe Kosovën si shtet. Në dokumentin e publikuar thuhet se “nga 1 janari, Spanja njeh pasaportat e zakonshme të lëshuara nga Kosova”.
“Kjo nuk nënkupton në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur”, thuhet në dokument.
Mirëpo, njohja e pasaportave, a shihet si një shenjë e mirë për përmirësimin e raporteve, përkatësisht njohjen e Kosovës nga Spanja apo një wshtw formalitet Teknik që duhej bërë më patjetër sikurse me vendet e tjera të Shëngenit?
Lidhur me këtë ҫështje, gazeta ka kontaktuar deputetë nga pozita dhe opozita të Komisionit për Punë të Jashtme, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.
Ndërkaq profesor universitar Prof. Dr. Enver Bytyçi në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se vendimi i qeverisë spanjolle për të njohur pasaportat e Republikës së Kosovës është shprehje e vullnetit të mirë të këtij vendi për të shkuar drejt pranimit të pavarësisë së saj.
Prof. Dr. Bytyçi: Qeveria spanjolle e kishte pak të vështirë ta bllokonte liberalizimin e vizave, sepse katër vendet e tjera të BE-se që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, kanë njohur me kohë dokumentet e saj
Prof. Dr. Enver Bytyçi
“Nuk është njohje e shtetësisë, por është dëshmi se njohja tashmë nuk është e nuk mund të jetë tabu. Serbia i njohu gjithashtu dokumentet, pra pasaportat, si dhe targat e Republikës së Kosovës. Por, gjithkush e di se deri sot Beogradi i kundërshtoi ato me arsyetimin se “Nëse njohim targat dhe pasaportën, atëherë ne kemi njohur shtetin, sepse këto janë simbole të këtij shteti. E ne shtetin e Kosovës nuk e njohim”, thoshin politikanët serbë. Me siguri se me këtë arsyetim edhe Spanja nuk donte të njihte dokumentin themelor të identiteti të shtetit, pasaportën”, vlerëson ai.
Ai vlerëson më tutje se njohja e pasaportës është njohje e pasaportës së shtetit, jo thjesht e një dokumenti identifikues të personit që e mban atë.
“Kjo nuk do më koment. Kjo është arsyeja kryesore, pse unë e vlerësoj shumë vendimin spanjoll. Por në fakt Spanja e bëri hapin e njohjes së pasaportës së shtetit të Kosovës që kur pranoi dhe nuk bllokoi me veto liberalizimin e vizave për qytetarët e saj. Qeveria spanjolle e kishte pak të vështirë ta bllokonte liberalizimin e vizave, sepse katër vendet e tjera të BE-se që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, kanë njohur me kohë dokumentet e saj. Pra Spanja do të gjendej e vetme në mesin e 27 vendeve anëtare të BE-së, që do të vinte veto”, tha Bytyqi.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, thotë më tutje se, të jesh i vetëm me veto në marrjen e vendimeve është natyrisht e drejtë demokratike e vetë funksionimit të unionit, por është edhe rrisk për opinionin që do të të gjykojë.
“Sepse do të thonë: – Po mirë Spanja e vetme paska të drejtë dhe 26 vendet e tjera qenkan të gabuara?! Askush nuk e përtyp këtë logjikë. Dhe çdo vendimmarrje që nuk bazohet te arsyeja e logjika, nuk është racionale. Mungesa e racionalitetit bën që njeriu apo edhe shteti përkatës të gjykohet dhe ndëshkohet së paku moralisht. Kjo është arsyeja kryesore pse Spanja nuk vendosi veto. Ka edhe arsye të tjera. P.sh. krijimi i koalicionit qeverisës me partinë nacionaliste të Katalonjës, e cila është shkaku themelor i mosnjohjes se shtetësisë së Kosovës nga ana e qeverisë spanjolle. Ndërsa ndikimi i Borrell është simboli. Prandaj dhe e quaj të pa bazuar deklaratën e nënkryetarit të LDK-së, ku i bën thirrje qeverisë të falwnderojë Borrellin për njohjen e pasaportave nga ana e Madridit”, vlerëson ai.
Prof. Dr. Bytyçi: Qeveria e Kosovës nuk u soll me bendet mos-njohëse, p.sh siç sillet Aleksandër Vuçiq ndaj Gjermanisë ose Ivica Daçiq ndaj Britanisë së Madhe
Tutje profesori thotë për ‘Bota sot’ se, mospërdorimi i vetos për liberalizimin e vizave ishte paralajmëruese se Spanja do t’i pranonte qytetarët e Kosovës të udhëtonin pa viza drejt saj.
“Çdo evropian do të shtronte pyetjen çuditëse, se si këta qytetarë udhëtojnë në gjithë zonën Shengen, ndërsa Spanja si pjesë e kësaj zone nuk i pranon ata. Do shkruaj me nota negative në mediet evropiane dhe negativiteti do t’i faturohej Spanjës. Është edhe ky një problem i madh për imazhin dhe konkurrencën e shteteve dhe të kombeve”, nënvizoi ai.
Megjithatë, ai përmend edhe një tjetër arsye në këtë rast.
“ Qeveria e zotit Kurti është treguar shumë e kujdesshme me vendet evropiane që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ne kemi parë se si kryeministri Kurti mban lidhje të ngushta me qeverinë e Athinës, pavarësisht kush është aty në pushtet. Kemi vënë re se si Vjosa Osmani duket se ka një miqësi të veçantë, ndoshta të ndërmjetësuat edhe nga kancelari Scholz mekryeministrin grek, Micotaqis. Po kështu Kurti dhe Osmani kanë vizituar Spanjën pa kompleksin që mund të krijonte mos-njohja nga ana e saj e shtetësisë dhe madje as dokumenteve shtetërore të saj. Kjo lloj sjellje duhej shpërblyer një ditë. Në fund të fundit qeveritë demokratike vlerësojnë edhe përmbajtjen etike e morale të sjelljes. Qeveria e Kosovës nuk u soll me bendet mos-njohëse, p.sh siç sillet Aleksandër Vuçiq ndaj Gjermanisë ose Ivica Daçiq ndaj Britanisë së Madhe! Maturia është urti e zgjuarsi. Duhet vlerësuar ky fakt”, vlerëson ai.
Më tutje, profesor Bytyqi thotë se dobia e njohjes së pasaporta nga ana e Spanjës lidhet edhe me impaktin që ka ky vendim të qeveritë europiane për ta pranuar dhe ndihmuar Kosovën në rrugën e integrimit europian.
“Tashmë unë besoj se ky vendim i hap rrugë vendimit për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat. Pra, nëse Spanja shihej si pengesë për marrjen e këtij vendimi, tashmë është thuajse e sigurt se ajo nuk ekziston. Për mua është më e pritshme të vendosë veto kundër Kosovës ndonjë vend aleat i autokracisë lindore, përfshirë Beogradin, sesa Spanja, Greqia, Sllovakia apo Rumania. Ndërsa praktikisht, vendimi i liberalizimit të vizave tashmë do të zbatohet edhe në Spanjë. Këtu përfitojnë të dy palët. Kosova lëvizje të lirë në këtë vend, Spanja pak më shumë turistë në vendin e saj. Barcelona dhe Madridi do të vizitohen pa pengesa udhëtimi. Por mundet edhe që të rritet bilanci i tregtisë midis Kosovës dhe Spanjës, investimet spanjolle në Kosovë etj”, vlerëson Prof. Dr. Enver Bytyqi për ‘Bota sot’.
Tahiraj: Kosovës i mbetet të punoj për ta bindur Spanjen se rasti i Kosovës nuk ka kurfar lidhje me problemet e brendshme të saj
Po ashtu, për këtë çështje ka folur edhe Saim Tahiraj, njohës i çështjevepolitike. Ai thotë se, ndonëse veprimi i Spanjës është formalitet teknik, është edhe një hap pozitiv drejtë avancimit të marrëdhënieve Kosovë-Spanjë.
Saim Tahiraj
“Mendoj se më tepër është një formalitet teknik duke vepruar diçka të përafërt me shtetet tjera të shengenit. Megjithatë mund të llogaritet një hap i vogël pozitiv drejt avancimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mes të Spanjës dhe Kosovës”, vlerëson Tahiraj.
Sipas tij, deri te njohja e Kosovës nga Spanja, është një rrugëtim i gjatë, për faktin se Spanja ka problemet e saja të brendshme të cilat e bëjnë të vështirë një rrugëtim të tillë gjer te njohja.
“Kosovës i mbetet të punoj me durim dhe në mënyrë konstante, për ta bindur Spanjën se rasti i Kosovës nuk ka kurfar lidhje me problemet e brendshme që ka Spanja. Kosova është një rast shumë i veçantë dhe njohja e shtetësisë nga Spanja nuk do implikon apo nxit ndonjë problem të brendshëm të Spanjës”, vlerëson ai për ‘Bota sot’.