Po bëhen disa vite që ish-krerët e UÇK-së po mbahen në Hagë për krime gjatë luftës dhe pas saj.
Seancat gjyqësore po vazhdojnë të mbahen për ish-krerët, mirëpo pa një vendim përfundimtar.
Së fundmi, Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, ka thënë se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është miratuar pjesërisht kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) që të pranohen si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera.
Në konferencën për informimin javor të datës 11 janar 2024, Doyle tha se kjo kërkesa përfshinte edhe deklaratat e disa dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur.
“Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 15 dhjetor, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për të pranuar si prova deklaratat me shkrim të disa dëshmitarëve, përfshirë të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi në çështje të tjera dhe më pas kanë vdekur”, tha Doyle.
Mirëpo, sa efektive mund të jetë pranimi si prova deklaratat e dëshmitarëve që tashmë kanë vdekur?
Kujtojmë që Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.
Burjani: Të shohim se a do të mund të shkoj ky proces deri në fund me probleme
Blerim Burjani
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.
Ai thotë që ky qëndrim i gjykatës tregon që e njëjta nuk po ia del të siguroj dëshmi dhe dëshmitarë në lidhje me ngjarjet që i gjykon ish-krerët e UÇK-së.
“Ky qëndrim tregon se ka vështirësi Gjykata me sigurimin dëshmive përderisa disa dëshmi dhe dëshmitarë nuk mund të shërbejnë validitet, pasi edhe disa dëshmitarë nuk janë gjallë. Kjo gjykatë prej fillimit po ballafaqohet me probleme në mungesë të provave dhe dëshmive valide”, u shpreh ai.
Më tej, juristi theksoi që këto probleme për sigurim të dëshmive, kjo gjykatë i ka pasur edhe më herët.
“Të shohim se a do të mund të shkoj ky proces deri në fund me probleme, edhe deri tash ka pas shumë dilema me disa dëshmi që nuk lidheshin aspak me të pandehurit”, tha Burjani për “Bota sot”.
Mehmeti: Realisht, ky zhvillim i ri e stërzgjat procesin si dhe eventualisht dënimin ndaj të akuzuarve
Faton Mehmeti
Ndërsa, analisti politik Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se kjo deklaratë nga Specialja rëndon më shumë gjendjen e të akuzuarve.
“Besoj se ky vendim vetëm sa e rëndon edhe më shumë gjendjen e të akuzuarve, të cilët me vdekjen e dëshmitarëve kanë menduar se ka vdekur edhe e vërteta që ata dijnë. Në këtë kuptim deklarata e zëdhënësit të Dhomava të Specializuara pres të ankimohet nga avokatët e të akuzuarve, të cilët e dijnë shumë mirë se kjo është goditje për klientët e tyre”, shpjegoi ai.
Në fund, analisti thotë që këto prova mund të kenë shumë ndikim.
“Më parë nuk kam njohuri që deklaratat e të vdekurve janë marr si bazë, ky zhvillim i ri nuk është lajm i mirë për të akuzuarit. Këto prova mund të kenë shumë ndikim, çuditërisht dëshmitarët më të fortë me dëshmi kundër të akuzuarve presupozohet të kenë ndërruar jetë. Realisht, ky zhvillim i ri e stërzgjat procesin si dhe eventualisht dënimin ndaj të akuzuarve, në rast se shpallen fajtorë”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.