Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal nga tetori, IKShPK publikon të dhënat

Rreth 40 mijë raste të gripit sezonal janë regjistruar nga 2 tetori e deri më 7 janar, ka konfirmuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që ka lajmëruar se vetëm në javën e parë të vitit 2024 janë raportuar mbi 5700 raste dhe se kjo paraqet kalimin e pragut epidemik.

“Bazuar në të dhënat nga mbikëqyrja permanente e situatës epidemiologjike përmes hulumtimit aktiv dhe pasive të institucioneve shëndetësore dhe në terren për Influenzën sezonale (ILI), për Infeksionet respiratore akute (ARI) dhe Infeksionin e rëndë respirator akut (SARI), IKSHPK bën të ditur se intensiteti i Influencës sezonale (Gripit) sipas numrit të rasteve të raportuara për javën e parë të vitit 2024 paraqitet në aktivitetin e lartë të qarkullimit, ka shënuar rritje dhe e ka kaluar pragun epidemik”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Pos 40 mijë rasteve me grip, janë regjistruar edhe gati 5 mijë raste të infeksioneve respiratore akute dhe 67 raste me infeksion të rëndë respirator.

Në këtë periudhë, janë testuar 326 mostra nga pacientët, si raste të dyshimta për COVID-19. Nga to 63 kanë dalë pozitive (19.32 për qind).

IKSHPK-ja ka treguar edhe masat më efikase në parandalimin e gripit sezonal. Aty ka thënë se parandalimi më i mirë bëhet përmes vaksinimit. Ky institut ka thënë se i ka siguruar 85 mijë doza të vaksinës dhe se ato mund të merren në çdo komunë. Efekti i vaksinës fillon 1 deri 2 javë pas marrjes.

Ndërsa si masa praktike për parandalimin e përhapjes, IKSHPK-ja ka përmendur maskat mbrojtëse, distancën fizike, higjienën e duarve, evitimin e kontakteve e që njerëzit e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.