Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Serbët e Mitrovicës së Veriut, peticion kundër dhënies së tokës komunale Policisë së Kosovës

 
   

Në Mitrovicën e Veriut ka nisur nënshkrimi i një peticioni të qytetarëve për revokimin e vendimit të kuvendit të kësaj komune për ndarjen e një parcele komunale për ndërtimin e një baze të Policisë.

Iniciator i nënshkrimit të peticionit është partia “Demokracia Serbe”, nga e cila u kanë bërë thirrje qytetarëve që në ditët në vijim të ngrenë zërin kundër, siç thonë ata, “vendimit të kundërligjshëm dhe jodemokratik” të kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut që të ndajnë dy minuta dhe të parandalojnë rrëmbimin e Remontit ushtarak dhe ndërtimin e bazës së re policore në veri të Kosovës”, thuhet në njoftimin e “Demokracisë Serbe”.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, këshilltarët e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut miratuan propozimin për ndarjen e një parcele prej 27,400 metra katrorë për policinë me kërkesë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në atë parcelë janë Ndërmarrja Publike “Standard”, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, Autoriteti i Përkohshëm Komunal, të gjitha këto institucione paralele që funksionojnë në kuadër të sistemit qeveritar serb.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha se parcela e kontestuar do të përdoret për nevojat e Qendrës Rajonale për trajnimin e shoferëve dhe dhënien e patentë shoferit.

Radiotelevizioni serb (RTS) shkruan se Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut aktualisht përbëhet kryesisht nga këshilltarë të nacionalitetit shqiptar për shkak se serbët bojkotuan zgjedhjet lokale në prill të vitit të kaluar. Kryetar i kësaj komune me shumicë serbe është Erden Atiq, po ashtu me kombësi shqiptare, shkruan më tej RTS.