Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Përkufizimi i së keqes dhe i betejës me të

Bota demokratike ka njohur plot raste kur rrotacioni i pushtetit ka qenë një stafetë nga e mira në një të mirë më të mirë. Për Shqipërinë, rrotacioni si votë pozitive për opozitën mbetet një ëndërr edhe në dakadën e katërt të demokracisë

Opozita si rregull del nga humbja e zgjedhjeve. Duke qenë kjo një pasojë dhe jo një zgjedhje e vullnetshme nuk ka vend këtu as as për turp, as për mburrje. Por subjektet politike në opozitë e nderojnë pozicionin e tyre me efikasitetin që tregojnë për të mbrojtur vlerat e demokracisë dhe për ta mundur qeverinë në zgjedhjet e ardhshme. Bota demokratike ka njohur plot raste kur rrotacioni i pushtetit ka qenë një stafetë nga e mira në një të mirë më të mirë. Për Shqipërinë, rrotacioni si votë pozitive për opozitën mbetet një ëndërr edhe në dakadën e katërt të demokracisë. Katër rrotacionet e regjistruara ( 1992, 1997, 2005, 2013) kanë ndodhur kryesisht si një votë “jo” për qeverinë e zhytur në korrupsion e skandale, votë e cila është përkthyer automatikisht në një votë “po” për opozitën. Tani, në vitin e tretë të mandatit të tretë të qeverisë “Rama” kemi shkuar më larg.

Ekziston një shumicë e qartë e zgjedhësve aktivë brënda vendit që kanë mendim negativ për qeverinë. Por kjo e dhënë e dalë nga zgjedhjet e vitit të shkuar dhe sondazhet në vijimësi nuk është përkthyer në votë “po” për opozitën. Që do të thotë se në optikën elektorale opozita e fragmentuar politike nuk gëzon e nuk merr as bonuset e së keqes me të vogël. Në këtë mënyrë rrotacioni i pushtetit rresikon të ngecë edhe më tej si kau në brinjë. Nuk po ndalem te shkaqet klasike që çojnë në atrofozimin e partive opozitare dhe në kastrimin e aksionit opozitar, të tilla si privatizim-uzurpimi de fakto i funksioneve drejtuese nga drejtues të vetquajtur të pazevendësueshëm, mungesa e qarkullimit të elitave, mbyllja dhe trashja e mendjeve, mungesa reale e demokracisë së brendshme, uniformimi dhe kllounizimi i shëmtuar i ligjërimit deri dhe grimasave, komportimi sektar, pa klas dhe njerzëllek, mungesa e ideve të reja dhe programeve të elaboruara, kapja nga korrupsioni, izolimi nga miqtë dhe partnerët ndërkombëtare, raportet e deformuara me ligjin, lirinë dhe të mirën e përbashkët që përbëjnë parimet morale të shoqërisë demokratike, e tjerë.

Po fokusohemi të një çështje tjetër e veçantë, që lidhet me përkufizimin e së keqes që duhet mposhtur dhe të kundërshtarit apo armikut që duhet mundur. Sa më real ky përkufizim, aq edhe më e madhe premisa për sukses, na mëson Rajmond Aron. Që kundërshtari është kryeministri Rama dhe që beteja e opozitës është kundër qeverisë së tij, kjo s’do mend e kalem, siç thotë populli. Opozita ka patur material për të bërë opozitë që në javën dhe muajin e parë të instalimit të kësaj qeverie. E jo më sot kur materiali në fjalë është bërë mal. E vërteta është se të trija opozitat kryesore, Rithemelimi , PD zyrtare dhe Partia e Lirisë , sikurse partitë me të vogla aelate me to e kanë patur dhe e kanë korrupsionin qeveritar dhe aspektet e tjera të shumta të keqqeverisjes targetin kryesor të operandit të tyre . Kjo betejë nuk kalon kurrë pa jehonë dhe pa rezultate, pavarësisht zhurmimit të saj nga altoparlantet e fuqishëm të qeverisë. Por siç e kemi parë Berisha dhe Rithemelimi i taksin Ramës edhe kapjen dhe dirigjimin e organeve të reja të drejtësisë.