Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë që kryeministri Albin Kurti ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, gjatë këtij viti, në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Por, Haziri thotë se Kurti nuk mund të amnistohet me zgjedhje nga obligimet ndërkombëtare që i ka marrë përsipër. “Ia kanë bërë të qartë BE-ja dhe ShBA-ja”.
“Edhe Serbia a i mbajti zgjedhjet më 17 dhjetor, por u dashtë që marrëveshjet për targat dhe për energjinë t’i përfundojë. Edhe z. Kurti nuk ka amnistim. Mundet me shku në zgjedhje, me kamuflu ose me i ikë përgjegjësisë; zgjedhjet do të mbahen, por obligimet do t’i shkojnë atij. Nëse ai nuk i merr obligimet, obligimet i mbesin Kosovës”, thekson nënkryetari i LDK-së.
“LDK-ja në asnjë mënyrë nuk mundet me u bë pjesë e diçkaje që zotëri Kurti tash e tri vjet ka sharruar politikisht deri në fund të pusit me obligimet që nuk i mbajtur”, shprehet Haziri, i pyetur nëse kjo parti ka “vija të kuqe” për një koalicion eventual qeverisës me Vetëvendosjen.
Mospërmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga kryeministri, sipas Hazirit, ka bërë që ndërmjetësit ndërkombëtarë të dizajnojnë një draft-statut dhe një marrëveshje të dëmshme, ku përmendet edhe Rezoluta 1244. “Neni 2 nuk e paragjykon statusin e politik të Kosovës dhe i vetmi kryeministër mos të paragjykojë statusin e republikës së vet është ky”.
Për të përshkruar situatën e keqe, ish-kryetari i Gjilanit përdorë një thënie që përdoret në Anamoravë. “Populli e quan ‘rrotë përmbi stupc’”.
“Kjo Qeveri ka shkaktuar raporte të tensionuara me BE-në, është në masa ndëshkuese, ka raporte tensionuese me NATO-n. Ju e dini se NATO i ka marrë disa nga kompetencat e sigurisë dhe i ka kthyer mbrapa, pa i pyetur fare. E kanë thirrë presidenten në takim dhe i kanë tregu. Ka raporte të tensionuara me Shtëpinë e Bardhë edhe me Departamentin e Shtetit. Kanë raporte të tensionuara me të gjithë kryeministrat e rajonit… sepse Kurti shkon dhe e mbështetë opozitën atje”.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike thotë në një intervistë për Eo se Qeveria Kurti nuk ka merita për liberalizimin e vizave, as për njohjen e pasaportave nga ana e Spanjës, as për marrëveshjen e energjisë.
Sipas tij, qe gati tre vjet, kjo Qeveri ka sjellë vetëm degradim. “Kosovën e ka bërë vend më pak të dashur për qytetarët e vet. Unë e pranoj që në qeveritë tona ka pasur dëshpërim, gabime politike. Njerëzit kanë kërkuar jetë më të mirë jashtë Kosovës, por kanë kërkuar punë, shkollim më të mirë se në Kosovë, sigurim shëndetësor më të mirë. Sot po kërkojnë atdhe më të mirë… Dallimi është shumë i madh, sepse ata që kanë shkuar për jetë më të mirë, kthehen. Ata që kërkojnë atdhe më të mirë, ata nuk kthehen sepse një familje që i ka një fëmijë ose dy, me dy të punësuar e merr rrugën e gurbetit dhe thotë: ‘fëmija jem nuk dua të rritet këtu, por në Evropë, Kanada apo ShBA”.
“Kjo Qeveri ka dëshpëruar njerëzit, sepse ka nxitur shpresa të mëdha e pritje të mëdha dhe mandej këto shpresa, shkaktojnë dëshpërim të madh. Janë vetëm muajt e parë të dëshpërimit”.
Në fund të intervistës, Haziri shfaq besimin se në zgjedhjet e ardhshme, LDK-ja e cila mori rezultatin më të keq ndonjëherë më 14 shkurt 2021, do të bëjë “rikthimin e madh” dhe do ta rikthejë Republikën aty ku e ka vendin. “Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë me këtë imazh të përdhosur, të përbuzur”.