Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka theksuar se heqja dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial, gjegjësisht nga Kosova, nuk mund të jetë çmimi për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.
“Si mundet BE-ja apo dikush nga Serbia të kërkojë njohjen e Kosovës, kur dihet mirë se pesë anëtarë të BE-së nuk e njohin Kosovën. Kur dikush thotë se BE-ja na kërkon ta njohim Kosovën, ne duhet ta pyesim atë në emër të kujt është. Interesi ynë strategjik është të hyjmë në BE dhe ky është një prioritet tjetër i politikës sonë, por heqja dorë nga sovraniteti dhe integriteti territorial nuk mund të jetë çmimi që Serbia do të paguajë për këtë”, tha Daçiq.
Ai thekson se Serbia nuk do ta njohë Kosovën.
“Nuk mund të kemi standarde të ndryshme, kjo është baza e politikës kombëtare dhe shtetërore sepse gjithçka buron nga ai prioritet për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial”, thekson ai.
Duke komentuar mesazhet e fundit të mbështetjes për pavarësinë e Kosovës nga Britania e Madhe, Gjermania dhe Irlanda, Daçiq thotë se ka ardhur një valë e re presionesh, e cila pritet.
“Ne ishim të përgatitur. Prishtina është e shqetësuar se qëllimet e tyre nuk mund të realizohen, që të gjithë i njohin dhe se hyjnë në OKB, dhe pastaj edhe sponsorët më të mëdhenj të pavarësisë së saj janë nervozë që kjo ende nuk është arritur. Serbia është pengesa kryesore ndaj atyre planeve, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi subjekt i presionit të madh”, tha ai në një intervistë për Novosti.
Siç shton shefi i diplomacisë serbe, Serbia do të vazhdojë të jetë pengesë për çdo njohje ndërkombëtare të Kosovës, që do të thotë se do të ketë përgjigje nëse Kosova do të fillojë sërish fushatën për njohje të reja.
Ai thekson se Serbia po përballet me një periudhë presioni edhe më të fortë.
“Por ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të qëndrojmë të vendosur në politikën tonë të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës dhe hyrjes në OKB. Shumica dërrmuese e popullit tonë, praktikisht me konsensus, kërkon që Serbia të vazhdojë një politikë të tillë,” tha ai.
Daçiq thotë se deri më tani është treguar se një numër i madh i vendeve që e kishin njohur pavarësinë e Kosovës ishin të gatshme të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe të tërheqin njohjen e Kosovës.
“Ata marrin vendimin përfundimtar pasi dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës ka përfunduar. Jam i sigurt se ka më shumë vende të tilla,” shton ai.
Duke komentuar armatosjen e paralajmëruar të Kosovës nga SHBA-të, Daçiq thotë se vendimi i Qeverisë amerikane ka marrë një përgjigje të qartë nga vendi më i lartë, nga presidenti Aleksandar Vuçiq dhe se nuk ka çfarë të shtojë.
“Vendimin për dërgimin e armëve e kemi përjetuar si një zhgënjim të madh, sepse sipas të gjitha vendimeve ndërkombëtare, misioni i KFOR-it nën mandatin e OKB-së është e vetmja forcë ushtarake legale në Kosovë. Çdo dërgesë e armëve në Prishtinë nuk është e favorshme për paqe dhe ne jemi të interesuar në radhë të parë që paqja të mbretërojë në Kosovë dhe që komuniteti serb të mbrohet nga çdo dhunë”, thotë ai.
I pyetur nga Novosti nëse dhe deri në çfarë mase Serbia mund të mbështetet në ndihmën e Rusisë në vazhdimin e betejës politike për Kosovën, Daçiq thekson se Rusia është një aleate e rëndësishme e Serbisë në skenën ndërkombëtare kur bëhet fjalë për ruajtjen e sovranitetit.
Ai thekson se ky është qëndrim parimor i Rusisë dhe se nuk ndryshon me ndryshimin e rrethanave politike, edhe gjatë krizës në Ukrainë.
“Rusia nuk e njeh Kosovën si shtet, ky është qëndrimi i tyre i prerë dhe konsistent, për të cilin ne jemi shumë mirënjohës. Ata janë një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe për këtë arsye një aleat i rëndësishëm i vendit tonë. Nëse do të ishte ndryshe, Kosova do të kishte një rrugë të hapur për anëtarësim në OKB”, thekson ai.