Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Parashikimi i motit/ Vranësira të shpeshta dhe reshje shiu, rriten temperaturat

Në pjesën e parë të ditës, vendi ynë do të jetë nën ndikimin e intervaleve me kthjellime dhe vranësirave të shpeshta në pothuajse të gjithë territorin, përjashtuar zonat veriore dhe veriperëndimore, ku do të ketë vranësira dhe shira të dobët. Pas mesditës, pritet shtim i vranësirave në të gjithë territorin e vendit duke sjellë reshje shiu në ultësirën perëndimore si edhe reshje dëbore në zonat malore. Kjo situatë e paqëndrueshme atmosferike do të na shoqërojë edhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rritje të ndjeshme në orët e mëngjesit, por edhe mesdita sjell një rritje të lehtë të tyre duke luhatur vlerat ditore nga -2°C më e ulëta deri në 15°C më e larta në rang vendi. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi 55 km/h me drejtim, kryesisht nga Jugu duke gjeneruar në brigjet detare dallgëzim deri në 3 ballë.

Kosova

Republika e Kosovës deri në orët e pasdites do të jetë nën ndikimin e motit të vranët në të gjithë territorin, duke gjeneruara herë pas here reshje shiu dhe dëbore. Shirat do të jenë më të dukshëm në zonat perëndimore dhe pjesërisht në qendër të vendit ndërsa në zonat Veriore dhe Lindore reshjet e dëborës do të jenë më prezente. Të njëjtat kushte të paqëndrueshme atmosferike do të vijojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes, por ulen lehtë në mesditë duke u luhatur nga -2 gradë C deri në 5 gradë C. Era do të paraqitet mesatare gjatë paradites por forcohet pasdite duke arritur shpejtësi maksimale mbi 50 km/h nga drejtimi kryesisht Jugor – Jugperëndimor.

Maqedonia e Veriut

Territori i MV, paraqitet nën dominimin e vranësirave të shumta përgjatë gjithë 24-orëshit duke gjeneruar reshje shiu e dëbore të cilat më të dukshme do të jenë në zonat Jugore dhe Juglindore të territorit të MV. Ndërsa orët e pasdites dhe mbrëmjes vonë do të sjellin shtim të vranësirave dhe reshjeve në të gjithë territorin e MV. Kushtet e motit të paqëndrueshëm do të mbeten prezent edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të rriten si në vlerat minimale, edhe në ato maksimale duke luhatur vlerat ditore nga -3°C minimalja deri në 6°C vlera maksimale në rang territori. Era do të fryjë e mesatare paradite por deri e fortë gjatë pasdites duke arritur shpejtesinë maksimale 55 km/h nga drejtimi Jugor.

Europa

Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare përkatësisht në Juglindje të kontinentit do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në rajonin e Ballkanit, brigjet e Egjeut si edhe brigjet e Detit të Zi duke sjellë vranësira dhe reshje shiu e dëbore si edhe stuhi të forta ere. Po ashtu, reshje dëbore dhe ngrica do të ketë në gadishullin Skandinav, Europën Lindore si edhe Europën Qendrore ndërsa Ishujt Britanikë si edhe gadishulli Iberik do të paraqiten nën ndikimin e motit të kthjellët dhe vranësirave te lehta e kalimtare./abcnews.al