Me rastin e 25-vjetorit të kryerjes së gjenocidit serb në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka organizuar sonte ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.
Ndezja e qirinjve nën moton “Ne nuk harrojmë – Ndize një qiri për viktimat e gjenocidit në Kosovë”, është bërë edhe në sheshet e qyteteve tjera të vendit.
Adnan Asllani nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” duke përmendur numrin e viktimave të luftës së fundit, ka kërkuar të dënohet gjenocidi serb që ka ndodhur një çerek shekulli më parë në Kosovë.
Asllani: Kërkojmë të dënohet gjenocidi
“25 vjet më parë forcat serbe kanë kryer akte të tmerrshme gjenocidi duke vrarë mbi 10 mijë shqiptarë, e përdhunuar mbi 20 mijë gra e burra shqiptarë. Po ashtu duke dëbuar shumicën e popullsisë nga Kosova dhe duke shkatërruar objektet e trashëgimisë kulturore shqiptare. Të gjitha këto janë gjenocid dhe ne kërkojmë të dënohet ky gjenocid”, theksoi ai.
Ndërsa, shkrimtari Bardhyl Mahmut theksoi se 15 janari, Dita e Gjenocidit duhet të sensibilizohet në arenën ndërkombëtare që drejtësia të ngadhënjej.
Mahmuti: Gjenocidi të sensibilizohet në arenën ndërkombëtare
“Çështja e 15 janarit duhet të ngulitet në vetëdijen e çdo qytetari shqiptar. Duhet të shpërndajmë në botë, sepse është Ditë e gjenocidit. Çështja e gjenocidit i përket mbarë njerëzimit dhe nëse arrijmë ta sensibilizojmë këtë në përmasa ndërkombëtare do të kemi solidarizimin ndërkombëtar që drejtësia të ngadhënjej dhe një herë e përgjithmonë të kthejmë faqen e historisë”, tha ai.
Ish-deputetja Flora Brovina ka kërkuar nga shtetet mike të Kosovës të nxjerrin rezoluta kundër gjenocidit, në mënyrë që Kosova të ketë më të lehtë ngritjen e akuzës ndaj Serbisë.
Brovina: Shtetet mike të nxjerrin rezoluta kundër gjenocidit
“Tani duhet të nxitur edhe institucionet qeveritare që ata të punojnë më shumë që parlamentet e shteteve mike të nisin të nxjerrin rezoluta, duke ia filluar prej Shqipërisë kundër gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë. Kjo për shkak që të na lehtësohet puna për ngritjen e akuzës dhe ta dëshmojmë këtë. Shumë e vështirë është lufta me ‘dreqin, e dreqi’ është gjithandej rrotull nesh”, tha ajo.
Liderët e shtetit, të shoqëruar edhe nga ish ambasadori William Walker, sot pasi bën homazhe në shënim të 25 vjetorit të masakrës së Reçakut, akuzuan Serbinë për gjenocid në Kosovë.