Mbretëria e Bashkuar ka marrë vendim për heqjen e vizave për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në një postim në Facebook.
“Sot, nga nënkoloneli Steve Forrest, këshilltar bilateral në Ministrinë e Mbrojtjes u njoftova me vendimin e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar për udhëtim pa viza për personelin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës që zhvillojnë aktivitete ushtarake dhe zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar”, ka shkruar Maqedonci.
Ai ka shtuar se ky vendim vjen si rezultat i thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe angazhimin e Republikës së Kosovës në aktivitetet e mbrojtjes që udhëhiqen nga Mbretëria e Bashkuar.
“Mbretëria e Bashkuar në vazhdimësi ka luajtur rol kyç në procesin e shtetëndërtimit në përgjithësi dhe fuqizimin e kapaciteteve të mbrojtjes të vendit tonë, në veçanti. Kjo është edhe një dëshmi për kredibilitetin që Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës gëzon te partnerët tanë. Faleminderit Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar ministri Maqedonci.