Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Futen nga avllia, momentet kur FNSH bastisin shtëpinë e vëllait të Eljon Hatos dhe i vrasin qenin

Dalin pamjet e momentit kur forcat e FNSH dhe RENA ushtruan kontrollin në shtëpinë e vëllait të Ejlon Hatos.

Siç shihet në video, forcat e policisë mbërrijnë në një fshat të Shkodrës me furgona dhe rrethojnë banesën e Elkier Hatos në orët e para të mëngjesit të sotëm (16 Janar).

Një prej efektivëve të FNSH-së ngjitet mbi avlli dhe pret telat me gjemba nga të cilat rrethohet shtëpia.

Sipas vëllait të shumëkërkuarit kanë qenë mbi 50 forca policie që kanë kryer kontroll të befasishëm në banesën e tij, teksa tregoi se kanë qëlluar edhe mbi qentë që ndodheshin brenda rrethimit të shtëpisë, duke vrarë një prej tyre.

Uniformat blu raportohet se kanë zhvilluar operacionin pasi kishin informacion se miku i Ervis Martinaj ditën e fundit ndodhej në banesë. Por, sipas tyre, në operacionin e monitoruar nga SPAK, kur mbërritën në shtëpinë e të shumëkërkuarit janë ndeshur me 2 qen të rracës kangal, të cilët kanë qenë të zgjidhur.

Fillimisht efektivët kanë futur brenda banesës qentë e tyre, të cilët u kacafytën me qentë e banesës duke u bërë rrezik për njerëzit, ndaj neutralizimi i tyre ishte opsioni i vetëm.

Policia ka gjetur prova që ngjallin dyshime se Eljon Hato ka qenë në banesë dhe është larguar para mbërritjes së policisë duke i lënë qentë e lëshuar.

Vëllai i Eljon Hatos, Elkier Hato është shprehur se ndihen të terrorizuar dhe se i vëllai i tij nuk ndodhej në banesë.

“Rreth orës 5:30 kanë ardhur gjashtë mikrobuza policie. Kanë hypur në majë të murit dhe kanë qëlluar me armë qentë. Njërin e kanë vrarë dhe tjetrin e kanë plagosur. është e disata herë që vijnë këtu dhe unë nuk e di arsyen përse vijnë në këtë vend. Sa herë që kanë ardhur këtu nuk e kanë gjetur Eljonin. Unë i kam thënë se ku jeton Eljoni dhe nuk shkojnë atje ku ka shtëpinë e tij por vijnë direkt këtu”, tha ai.

Elkier Hato ka hedhur akuza ndaj shefit të komisariatit të policisë së Shkodrës, Idriz Daulle .

“Mendoj se është e qëllimshme se me informacionet që kam di se është duke e bërë shefi i komisariatit gjithë këtë gjurolldi. A është paguar prej kujt apo e bën për miqësi të ndokujt këtë nuk e di. Jam i bindur 1 mijë përqind se këtu ka dorë dikush”, shprehet 39-vjeçari.