Proces amator me një varg mangësish e sheh familja e ish politikanit serb, Oliver Ivanoviq, procesin ndaj të akuzuarve për vrasjen e tij. Ata shprehen të sigurtë se vrasja e Ivanoviqit kishte prapavijë politike.
Babai iu vra para gjashtë viteve.
Që nga ajo kohë djali I Oliver Ivanoviqit, Nikola bashkë me familjen është në kërkim të drejtësisë.
Në vitin 2020, filluan seancat e herë pas hershme ndaj të akuzuarve për vrasjen e ish politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Ndaj këtij procesi që ka gjashtë të akuzuar, familja është e zhgënjyer.
“Që nga fillimi, i tërë procesi është shumë amator. Ata nuk i kanë dorasit, e as urdhërdhënësit. I kanë ndihmësit, por nuk dihet kujt i ndihmojnë. Nëse shikohet nga ana teknike, e kam qenë edhe në gjykatë, i tërë procesi, ka qenë kaotik. Nga kontaktet që kam me avokatët më thonë që nuk kanë marrë fare përshkrime, transkripte nga gjykata, që është katastrofë, gjë që nuk guxon të ndodhë”, thotë ai.
I biri i Ivanoviqit, thotë se atyre si familje nuk iu është thënë asnjë informatë e re në lidhje me rastin, që sipas tij ishte me prapavijë politike.
“Pas gjashtë viteve, ne nuk kemi asnjë informatë të re, pos atyre që kemi marrë në ata muajt e parë. Asgjë e re nuk ka ndodhur. E deri tash është dashur të gjenden dorasit, e urdhërdhënësit eventual, të dëshmohet nëse dorasit kanë vepruar vetë, apo kanë qenë të urdhëruar. Jam i sigurt që kjo është vrasje politike. Nuk shoh asgjë tjetër, dyshim tjetër, pse është vrarë. Ai është vrarë vetëm pse ishte politikan”, ka thënë Ivanoviq.
Megjithatë, ai shpreson në zbardhjen e rastit.
“Shpresa vdes e fundit. Prandaj jam optimist, dhe do të besoj. Me tërë fuqinë time do të mundohem të arrijë te e vërteta. Do të isha shumë i lumtur po të ndodhte kjo. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët në rajon, duket se kanë harruar tërësisht atë rast. Nuk dëgjoj asnjë deklaratë për atë temë, që ata ndoshta do jenë pjesëmarrës në këtë, dhe do të kontribuonin. Fatkeqësisht, ata nuk dëgjohen fare. Sepse ne të gjithë shohim nga perëndimi, në demokracinë dhe drejtësinë e tyre, që e vërteta dhe drejtësia fiton në fund”, shpreheti ai.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë
Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objektit të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut.