Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, është shprehur se vend i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në rast të një konflikti të mundshëm mund të përballet me Serbinë, është Kroacia.
Komentet Mediu i bëri në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, ku tha se Serbia shpenzon 3 % të buxhetit të saj për armatim, një shifër e frikshme kjo sipas tij.
Ai tha gjithashtu se lidhur me dërgimin e armëve amerikanë në Kosovë, në si Shqipëri nuk duhet të gëzohemi, por duhet të shohim rolin tonë në këtë situatë të tensionuar në Ballkan.
“Ka disa vite që unë e kam ngritur në Kuvendin e Shqipërisë faktin që Serbia shpenzon 3 % të buxhetit të saj për armatim. 1 miliardë e 400 milionë dhe po të krahasohet me vendin tonë… I vetmi vend që mund të krahasohet në rast të një konflikti me Serbinë është Kroacia.
Nuk është vetëm fakti që Serbia shpenzon shumë në armatime dhe shpenzime ushtarake, por edhe burimi i këtyre pajisjeve ushtarake. Burimi i tyre janë aleancat strategjike që të Serbisë si Rusia dhe Kina. Unë mendoj se jemi në një moment që duhet të realizojmë më tepër se çfarë duket.
Duke nisur nga vendi ynë, Shqipëria që është vend anëtar i NATO-s, kush është roli që duhet të kemi. Çështja është se ç’rol po luajmë ne si Shqipëri në këtë situatë. Ne nuk kemi luajtur një rol pozitiv sepse kemi forcuar boshtin e marrëdhënieve me Beogradin dhe kemi lënë jashtë vëmendjes boshtin me Prishtinës”, tha Mediu.