Ministri për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, dje ka qëndruar për vizitë në Prishtinë.
Gjatë kësaj vizite ai pati takime me homologen e tij, Donika Gërvalla, presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Galuk Konjufca, dhe liderët opozitarë.
Hasani përcolli mesazhe të forta, duke bërë edhe njëherë të ditur se Shqipëria është aleat i përjetshëm i Kosovës.
Kryediplomati i Shqipërisë pati mesazh edhe për Serbinë dhe lojërat e saj ndaj Kosovës.
Duke e cilësuar si “lojë qesharake”, Hasani i bëri thirrje Serbisë që të ndalojë së dërguari ushtrinë e saj në kufi me Kosovën.
“Bëjmë thirrje te të gjithë aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin e 21-të, nuk i çohen ushtri fqinjit më te kufiri. Askush nuk duhet të bëjë më këtë lojën që është qesharake sepse të gjithë jemi të qartë se garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku dhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani, pas takimit që pati me Gërvallen.
Ai foli edhe për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit. Kryediplomati shqiptar bëri thirrje që përgjegjësit për sulmin, që ai e cilësoi terrorist, duhet të përballen me drejtësinë, pasi sipas tij, kjo është e domosdoshme “për të parandaluar një përshkallëzim me pasoja ndoshta të pakthyeshme”.
“Ishte akt kriminal dhe i rrezikshëm terroristë kundër stabilitetit, integritetit dhe pavarësisë së Kosovës. Sulmi ishte një kërcënim i rëndë për sigurinë dhe stabilitetin e gjithë rajonit tonë. Autorët, organizatorët dhe nxitësit e këtij akti duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë sa më parë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar një përshkallëzim të mëtejmë të situatës me pasoja ndoshta të pakthyeshme”, tha Hasani.
Sipas ministrit Hasani, siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor “janë më të kërcënuara sesa në çdo moment tjetër gjatë dekadës së fundit”.
Ai foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Hasani tha se më 26 tetor në Bruksel, Albin Kurti, pranoi “pa kushte” që të nënshkruajë Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Kryediplomati shqiptar tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit duhet të zbatohen.
“Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë ndërkombëtarë që të ruajnë këtë moment dhe të shtyjnë përpara drejt një përparimi përfundimtar”, tha Hasani.